Revista amerikane TIME, në 1945: Shqipëria drejt diktaturës së ashpër

1
212
blank

Fillimet e Shqipërisë komuniste në sytë e medias më të rëndësishme amerikane, Revista Time.

Kujto.al sjell 3 artikujt e kësaj reviste të botuar në 1945, të shqipëruar nga studiuesi Armand Plaka. Revista TIME paralajmëroi instalimin e një diktature të egër në Shqipëri dhe jep një informacion të rrallë për mënyrën se si Enver Hoxha po ashpërsonte pushtetin e tij, duke afruar me jugosllavët dhe sovjetikët.

Nga Armand Plaka

Ndërsa Shqipëria sapo kishte dalë nga lufta, komunistët ishin në hapat e tyre të parë për konsolidimin e pushtetit, frenat e të cilit akoma nuk i kishin marrë plotësisht në dorë. Qysh prej një muaji e gjysmë, qeveria e kryesuar nga një kryeministër komunist, duket se po përpiqej të ngjante sa më demokratike në synime e pretendime përballë fuqive perëndimore, të cilat, siç thekson edhe shtypi amerikan i kohës, ishin me një prezencë të vogël në atë vend, por që gjithsesi shumë më prezentë se sa rusët.

Në tri artikuj relativisht të shkurtër të revistës amerikane “Time”, që datojnë në harkun kohor janar-dhjetor 1945, del më se e qartë se kush ishte qeveria e Enver Hoxhës në sytë e shqiptarëve e ato të Perëndimit. Çfarë synimesh kishte ajo fillimisht të deklaruara publikisht, e si ndryshuan rrugës brenda shumë pak kohësh, synimet e metodat e tij të qeverisjes. Kështu mësojmë se zgjedhjet e përgjithshme për Asamblenë Kushtetuese të dhjetorit 1945, arritën gjithsesi standarde, të cilat u konsideruan thuajse të pranueshme nga faktori ndërkombëtar (nënkupto këtu SHBA e Britani e Madhe). Nga ana tjetër, duket se metodat e Hoxhës kishin bërë që ai tashmë të vuloste përfundimisht fatin e pushtetit të tij komunist në Shqipëri, duke shtypur opozitën, krijuar një klimë frike, e duke e drejtuar vendin nga Rusia Sovjetike në aspektin ideologjik. Gjithsesi, theksohet fakti se Shqipëria ishte e lidhur tashmë “me lumenj gjaku” në një miqësi të përhershme me Jugosllavinë e Titos, satelite e të cilës ajo ishte bërë plotësisht. Në mënyrë telegrafike, le të shohim se cila ishte atmosfera e asaj kohe, përcjellë në artikujt e nxjerrë nga arkiva e të mirënjohurës “TIME”, ku përveç të tjerash, do të vërejmë se si amerikanët i kishin kërkuar Shqipërisë, në këmbim të njohjes së qeverisë së Hoxhës, mbetjen në fuqi apo njohjen e marrëveshjes së mëparshme të tregëtisë mes dy vendeve, nënshkruar qysh në vitet 1920, ku Shqipëria gëzonte statusin e vendit të privilegjuar në tregti me SHBA-të, në mënyrë që populli i saj të përfitonte me të drejtë nga ndihmat e Amerikës, ashtu sikurse dhe popuj të tjerë në Europë. Po kështu, mësojmë edhe shumëçka rreth situatës në kufirin me Greqinë, pretendimet greke e këmbënguljen e qeverisë së Enver Hoxhës për t’i mbrojtur ato me gjak.

Kush është Enver Hoxha?

Një burrë për të cilin shumica e njerëzve nuk kishin dëgjuar kurrë më parë, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, 36—vjeçar, është bërë si pa u ndierë kreu i qeverisë shqiptare dhe kryetar i ushtrisë së tij nacionalçlirimtare. Qëkurse gjermanët u larguan dhe aleatët nuk u gjenden kurrë në atë vend me forcën e prezencën e duhur, 30 mijë partizanët e armatosur lehtë të Hoxhës morën shpejt kontrollin mbi vendin me një terren më të shumtën malor. Ajo çka dihet më së shumti rreth tij jashtë vendit është se Hoxha:

1) Ka lindur në Gjirokastër (vendlindja e pavarësisë shqiptare dhe skenë e luftës dhe rezistencës së famshme greke kundër pushtimit italian në vitin 1940);

2) Ka qenë profesor i frëngjishtes para se të merrej me politikë e të përfshihej në luftë.

Në intervistat e tij të para të publikuara në media, ai është regjistruar të deklaronte se favorizonte demokracinë për Shqipërinë dhe se do të qëndronte në një "aleancë të ngushtë" me Jugosllavinë e Titos, me të cilën tashmë Shqipëria lidhej nga “lumenjtë e gjakut”.

Kontaktet e para me rusët

Ndërkohë, për sa i përket shqetësimit të njerëzve të Hoxhës, Federata Ballkanike që avokohet shumë nga marshalli Tito, duhet të presë derisa Shqipëria të zgjidhë çështjen e kufijve me Greqinë. Por me Rusinë Sovjetike, Shqipëria ishte deri më tani vetëm në nivel marrëdhëniesh kortezie. Javën e shkuar, Kryeministri Hoxha ishte shumë i zënë me konsultimet që pati me një mision sovjetik që erdhi aty me avion.

Hoxha: Nga grekët do mbrohemi me gjak!

Si kreu i ushtrisë shqiptare, Gjeneral Kolonel Hoxha foli ashpër në drejtim të kryeministrit grek Papandreu. Hoxha tha “troç” se vendi i tij kishte ndërmend të luftonte për të mbrojtur veten kundër pretendimeve greke në jug të Shqipërisë.

Premtimet “demokratike” të Hoxhës

Si Kryeministër, Hoxha ka premtuar sigurinë mbi pronën private, të drejtën e votës së lirë, mobilizim në shkallë kombëtare të forcave të afta për punë për të rindërtuar vendin e rrënuar nga lufta, si dhe ndëshkimin e të gjithë kriminelëve të Luftës.

Tirana, pas luftës, në gjendje relativisht të mirë

Pas pesë vitesh të pushtimit italian e gjerman, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, në pjesën më të madhe ia doli të mbahej në gjendje të mirë, megjithëse gjermanët gjatë tërheqjes hodhën në erë legatën britanike. Për sa i përket asaj që mbeti nga legata amerikane, ata morën vetëm “kitarën e rojës”.

TIME, 1 janar 1945

Hoxha besohet se ka pak a shumë të njëjtën marrëdhënie me marshallin Tito, ashtu si Tito ka me Kremlinin

Rusia dhe ëndrra e vjetër

Përgjatë kufirit verior të Greqisë, "incidentet" po ndodhin me një rregullsi që të bie në sy, duke akuzuar secila palë njëra-tjetrën çdo ditë. Trupat e pushtimit britanik e ato sovjetik, duke u përballur me njëra-tjetrën përgjatë kufirit të mbetur greko-bullgar, po mbrojnë sferat e tyre të influencës.

Përplasja greko-sllave për Maqedoninë

Shtypi i kontrolluar jugosllav, duke i marrë direktivat nga marshalli Tito, i cili e cilësoi atë që po ndodh si “terrorizmi grek" (TIME, 16 korrik 1945), po çirret me forcë për 20.000 refugjatët sllavë nga Maqedonia . Në Selanik nga Athina, nxitoi të vinte vetë kryeministri grek, admiral Petros Voulgaris, për të bërë një kqyrje në vend të situatës në kufi. Çfarë po ndodh realisht? Guvernatori grek i Maqedonisë tha se nuk po vërshonin refugjatët drejt Jugosllavisë, duke akuzuar “terroristët sllavë” se po shkatërronin fshatrat greke.

Greqia frikë nga tri fqinjët komunistë

Nga Roma, korrespondenti i “Chicago Daily News” për Ballkanin, Leigh White, na dërgoi këtë raport: Marshalli Tito, me ç’duket, ka nisur fushatën e tij të planifikuar me kohë për zgjerimin e Jugosllavisë Federale në kurriz të Maqedonisë greke. Nga Athina, shefi i sektorit të çështjeve të Europës të “New York Times”, Cyrus Sulzberger, shkruan: "Ka një motiv prapa këtyre ngjarjeve që lidhen me qeveritë politikisht homogjene të tri fqinjëve të Greqisë [Bullgarisë, Jugosllavisë e Shqipërisë], të cilat, të gjitha në aspektin ideologjik, janë të lidhura me Bashkimin Sovjetik".

Rusia dhe ëndrra për ujërat e ngrohta

A mos vallë Rusia, nëpërmjet satelitëve të saj në Ballkan, dëshiron të përmbushë kësisoj një ëndërr të vjetër të sajën për të prekur brigjet e ngrohta të detit Egje?

Pretendimi grek për Epirin

Në Athinë, nga ana tjetër, kryepeshkopi grek Damaskinos po ndeshet çdo ditë me sulme e kundërsulme. Për Greqinë ai pretendon Epirin, një pjesë në territorin shqiptar të jugut, ku "shumë nga njerëzit tanë, sipas tij, po vuajnë persekutimin e regjimit të Hoxhës".

Hoxha nën Titon, si Tito nën Stalinin

Hoxha besohet se ka pak a shumë të njëjtën marrëdhënie me marshallin Tito, ashtu si Tito ka me Kremlinin.

TIME - e hënë, 23 korrik, 1945

SHBA dhe Britania e Madhe, papritur premtuan të njihnin edhe qeverinë prokomuniste shqiptare

Zgjidhja e nyjes gordiane

Diku në malet kaukaziane, thotë një raport aktual në Europë, u zhvillua një konferencë sekrete. Në kolltuk ndodhej Mareshalli Josif Stalin. Prezentë aty ishin dhe Mareshalli Klimenti Voroshillov, shefi i Ushtrisë së Kuqe të pushtimit në Hungari, dhe një grup ambasadorësh sovjetikë dhe ekspertë të Ballkanit.

Riformulimi i politikës sovjetike

Objektivi i takimit ishte të riformulonte politikën sovjetike për Ballkanin dhe Europën Lindore. Vendimet e marra: 1) Ushtria e Kuqe do të tërhiqet nga fundi i vitit të ardhshëm dhe kontrolli civil do të rivendoset në vend; 2) Rumania, Hungaria e Bullgaria duhet të lidhen me ekonominë sovjetike me marrëveshje të forta e detyrime të qarta në këtë sektor; 3) partitë e nervozuara të opozitës do të zbuten duke penguar infiltrimin e komunistëve. Ky raport u mbajt në këmbë falë marrëveshjeve ekonomike të saposhpallura me Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Çekosllovakinë, Poloninë e Finlandën.

Përse rusët po bëjnë lëshime?

Nëse është e vërtetë në detaje, kjo do të shpjegonte edhe faktin se përse rusët mund të ofronin të lejonin ngritjen e opozitës së ashpër politike në të gjithë sferën e ndikimit sovjetik (TIME, 12 nëntor 1945). Por, në vetvete, asnjë skemë ekonomike nuk mund të garantonte se opozita do të qëndronte e lidhur me vargonjtë sovjetikë. Partitë e opozitës janë ngritur kundër kamxhikut të dhunës dhe tashmë janë në pritje duke lozur plot kurajë.

Amerikanët, hungarezëve: A ju kujtohet marrëveshja e 1926?

Javën që shkoi, dy fuqitë perëndimore nënshkruan lidhje ekonomike me njëra-tjetrën. Uashingtoni i kujtoi qeverisë së re hungareze dhe kryeministrit të saj jokomunist, Zoltan Tildy, marrëveshjen e vitit 1926 të tregtisë, e cila është akoma në fuqi ligjërisht, duke u siguruar mallra e ushqime, ashtu sikurse iu janë dhënë edhe vendeve të tjera (përveç Rusisë).

Amerika e Britania: Do ta njohim qeverinë e Hoxhës

Të dyja vendet, SHBA dhe Britania e Madhe, papritur premtuan të njihnin edhe qeverinë prokomuniste shqiptare, të drejtuar nga Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, duke deklaruar se  zgjedhjet e 2 dhjetorit duhej të ishin të lira. SHBA shtoi në këtë kontekst se do ta bënte një gjë të tillë nën një kusht: që të mbetej në fuqi marrëveshja e tyre me Shqipërinë, si një komb i favorizuar në tregti me Amerikën e vitit 1922.

Moska: Edhe ne do ta njohim Hoxhën!

Në mënyrë të vazhdueshme Moska ka deklaruar se edhe ajo do të ndërmerrte nga ana e saj njohjen zyrtare të qeverisë së Hoxhës. Qysh nga fundi i luftës, Rusia nuk ka bërë asnjë marrëveshje ekonomike me Shqipërinë.

TIME - 19 nëntor 1945

Presidenti prokomunist i Shqipërisë, i ashpër e me një fytyrë engjëllore

Zgjedhje të lira e të fshehta

Presidenti prokomunist i Shqipërisë, i ashpër e me një fytyrë engjëllore, Enver Hoxha, e dinte se zgjedhjet e kësaj jave për Asamblenë Kombëtare do t’i kishte në xhep. 82 kandidatët e tij ishin të sigurt se do të tejkalonin me shumicë 20 deputetët e tjerë që vinin nga opozita. Kështu që ai lejoi të zhvilloheshin zgjedhje të fshehta e të lira, nën një sistem jo të ndershëm, por efektiv. Dhe funksionoi në mënyrë të admirueshme.

Zgjedhjet me gogla

Gratë myslimane në të zeza, vajzat partizane të veshura me uniformën e luftimit të ushtrisë britanike, ish-guerrilas të veshur në ngjyrë kafe me yll të kuq mbi kapelë, njerëz me qeleshe të bardha, shallvare e brez mesi, hoxhallarë me çallma, duke u drejtuar drejt kutive të votimit. Secilit prej tyre iu dha nga një gogël gome në përmasat e një karameleje. Ata u instruktuan të tregonin duart e tyre në formë grushtesh të mbyllur, e më pas t’i fusnin ato në të gjitha kutitë e vogla për kandidatët e qeverisë, e pastaj në ato në një kuti të madhe për anëtarët e opozitës. Më pas ata ngrinin duart të hapura, për të treguar se në njërën nga kutitë ata kishin hedhur goglat në fjalë.

E ardhmja tashmë dihet

Kur e gjitha kjo mbaroi, ata ia nisën të këndonin e të kërcenin nëpër rrugë, duke bërtitur me të madhe: "Enver Hoxha, Enver Hoxha". Procesi i numërimit do të vazhdonte për disa ditë. Por ata e dinin tashmë se e ardhmja e tyre ndodhej në dorë të liderit 37-vjeçar që ka studiuar në frëngjisht kur ishte diplomat shqiptar në Belgjikë, e që më pas ka menaxhuar një dyqan ku shitej duhan për të maskuar veprimtarinë e tij kundër Mbretit Zog, duke udhëhequr më pas luftëtarët guerrilas kundër italianëve e gjermanëve.

“Go East”

Ata e dinë se ai do t’i kthejë krahët Italisë, e cila dikur udhëhiqte rrugën e Shqipërisë. Enver Hoxha është drejtuar nga Lindja, drejt Rusisë.

TIME, 10 dhjetor 1945

blank blank blank

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here