“Enver Hoxha dhe banda e tij përgatisnin plane në ç’mënyrë ta bëjnë Shqipërinë një provincë serbe, edhe mbasandaj kanë guximin të thonë se kanë luftuar për lirinë e Shqipërisë…”
Më poshtë mund ta lexoni një letër të Mid’hat Frashërit shkruar në mërgim, më 1 dhjetor 1946, plot një vit pasi komunistët kishin ardhur në pushtet në Shqipëri. Kjo ishte një thirrje për të mos i besuar komunizmit, që ai e quan një kolerë që shkatërron shpirtin e njeriut. Letra na zbërthen çdo pikëpamje të tij mbi situatën e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, shqetësimet e tij, revoltën, trishtimin dhe parashikimet mbi sistemin e ri që po vendosej në Shqipëri.
Kundërshtar i Partisë Komuniste, Mid’hat Frashëri u detyrua që në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali, ku edhe mendohet se është shkruar kjo letër. Më poshtë letra e plotë.
“Për miqtë e mi t’Amerikës
Të dashur miq,
Kemi dy vjet që u detyruam të largohemi nga Shqipëria dhe të bëhemi refugjatë. Sot, në tokën e mërgimit të anës perëndimore të adriatikut, jemi afër 750 shqiptarë, në mes të të cilëve edhe gra, kalamanj e pleq. Në greqi janë 800 refugjatë të tjerë, të larguar nga atdheu, mezi të shpëtuar nga masakrat, despotizma dhe tmerri që ka mbuluar Shqipërinë. Këta 1500 refugjatë ajnë nga të gjithë anët e Shqipërisë: Konispoli, Shqipëria e mesme dhe e veriut edhe nëj numër i madh nga Kosova.
Që dy vjet, kujdesi ynë i parë ka qenë të hyjmë në korespondencë me miqtë dhe farefisin që kemi në vendet e largët: Australi, Turqi, Egjypt, Shtetet e Bashkuara t’Amerikës, por veçanërisht me këtë të fundit, ku ndodhet kolonija jonë më e madhe. Shqipërinë e lam në tym e në flakë. Komunizma përgatitej të festonte triumfin e saj në mënyrë komuniste, do me thënë, duke therur, pushkatuar, mbytur, vrarë e torturuar, gra, burra, djem, çupa, të mëdhenj e të vegjël dhe sidomos të pafajshëm.
Deshëm të tërheqim vërejtjen e vëllezërve tanë që ndodhen larg Atdheut dhe që s’kishin pasur mundësi të informohen dhe të kuptojnë të vërtetën. Kjo nuk na dukej një çudi as edhe një gjë e mosbesuar, se, të paktën tri radio të mëdha në gjuhën shqipe ishin në favor të komunistëvet dhe bënin propagandën e tyre. Por, ne na duhej të shpejtonim që të shpëtojmë opinionin e shqiptarëvet që ishin larg Atdheut: Kishim për detyrë të ndriçonim mendjen e tyre dhe t’u viheshim në shërbim për çdo informatë që ata mund të kishin nevojë. Ata që kishin mbetur në Shqipëri, mund t’i quanim që të gjithë si të mjerë të burgosur, me zinxhirë në këmbë dhe me litar në grykë. Kishim nevojë, një orë e më parë, të shpëtonim nga robëria, në mos materiale por morale, kolonitë tona. Bëmë thirrje në ndjenjat patriotike dhe njerëzore të miqve tanë të largët.
Gjithë shpresën e mëkëmbjes së madhe e kishim te kolonija juaj, se ju rroni në një vend të lirë, nën një qeverisje liberale. Ju ishit larg tiranisë, larg despotizmës dhe larg diktaturës kuqalashe. Nuk kishit në Shtetet e Bashkuara, asnjë Mehmet Shehu, asnjë Enver Hoxha, asnjë Tito. Pastaj, kujtonim edhe patriotizmën tuaj të viteve 1919 dhe 1920. Kujtonim se qysh, të gjithë së bashku, si një njeri i vetëm, jini ngritur atëhere në këmbë dhe kini luftuar për indipendencën e asaj Shqipërie, për kufijtë e asaj Shqipërije dhe për nderin e asaj Shqipërije. Më të shumtët prej jush i njoh dhe më njihni personalisht. Kishim, pra, jo vetmë detyrën që të hynim në korespondencë me ju, por edhe të drejtën.
Me qindra letra ju janë dërguar, jo vetëm miqvet tuaj si unë, por edhe prej vëllezërvet, kushërinjvet, nipërvet dhe ungjërvet tuaj. Disave nuk u është kthyer përgjigje. Me çdo kusht ishte nevojë që të ndriçohej opinioni i tyre që të vononin akoma të mësojnë edhe të kuptojnë të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë çdo ditë u bë më tepër tragjike. Krimet e komunistëvet gjatë luftës, i vazhduan krime të tjerë, ekzekutimet pa gjyq ose me gjyq rrugësh, me ligje edhe pa ligje, vajtën duke u shumëzuar. Perëndija vetëm e di numurin e atyre që janë mbytur. Më të shumtët as ekzekutoheshin, as edhe masakroheshin në burgje, por vriteshin e çpoheshin me thikë në udhë e sipër. Sot vallë janë të burgosur, 16.000 apo 26.000? Sa prej tyre gjenden të sëmurë dhe gati për vdekje? Sa familje gjenden të internuar në Krujë, Berat e gjetkë?…
***
Doni të pyesni për reforma? Jua them unë. Reforma më e bukur, në krijimin e së cilës komunistët e Shqipërisë kanë rrëfyer një zotësi dhe një inteligjencë të vërtetë, është frika: nëna dhe baba të kenë frikë nga çupa dhe nga djali i tyre. Shqiptari të dridhet nga fisi më i afërt i tij se mos veje e ta kallëzoje te policija, simbas sistemit rus, G.P.U dhe N.K.V.D.
Lumturi e popullit? Vërtet një lumturi e mirë! Bujqvet, katundarëvet dhe atyre që s’kishin asgjë, qeveria demokratike dhe popullore e Enver Hoxhës u ka dhënë nga një pëllëmbë dhe. Por gjithë produkti i djersës së tyre vete në hambar të qeverisë dhe i gjori bujk, katundar ose proletar, duhet që të vejë çdo javë në zyrë të marrë te nëpunësi komunist kafshatën e gojës.
Qysh në fillim të regjimit të komunistëvet, gjith mallrat, ilaçet, veglat e mjekësisë dhe të kirurgjisë, çdo gjë që u gjend në drogeritë dhe depozitat e Shqipërisë, u dërgua te xhaxha Tito, dhe kjo për shpërblim të shërbimit që bëri Titoja duke vrarë afro 50.000 shqiptarë të Kosovës. Vajtën leshtë, lëkurët, benzina dhe nafta edhe ato në Jugosllavi. Shumë nga sendet që jep organizata U.N.R.R.A shkojnë në Jugosllavi ose u dorëzohen vetë besnikëvet të regjimit komunist. Fakir fukaraja, në mundshin dhe në gjeçin, le të hanë hithra. Mish nuk tregëtohet më në Tiranë, të shitet e të blihet. Për rroba, mveshje e mbajtje, pëlhurë, stofra e të tjera, mos bëni fjalë, se dyqanet që kishin qenë plot me plaçka, sot janë zbrazur. Edhe në ka eje të shitet ndonjë gjë, i jipet vetëm atyre që kanë marrë bileta nga qeveria…
Kjo është situata e Shqipërisë. Kjo është gjendja e të gjorëvet Shqiptarë që kanë lumturinë të rrojnë nën hijen e “demokracisë së Tiranës”.
***
Për fat të keq, dëmet nuk janë vetëm materiale. Për Shqipërinë e gjorë, me jo më tepër se një milion njerëz, sikur nuk ishte mjaft kjo luftë e përbotshme dhe pushtimi i huaj, sikur nuk ishet mjaft lufta italo-greke që u zhvillua në tokën arbërore dhe shkaktoi një shumicë rrënimesh, njerëzish dhe banesash, por ja se ku vjen edhe kolera e kuqe e komunizmës, që me dorën e shqiptarit të therrë shqiptarin, të sjellë një mizerje dhe një vuajtje që nuk e ka pësuar kurrë gjer më sot vendi ynë. Me mijëra njerëz që u çduknë nga dora trathëtare e komunistëvet, ashtu edhe me qindra milionë që franga ari u shkrinë në zjarr për qejfin e të kuqvet. Nuk e di cili do të ketë mbetur i padëmtuar materialisht dhe moralisht nga miqt që kemi lënë në Shqipëri? Cili nga anëtarët e fisit dhe nga të afërmit do t’i ketë shpëtuar dorës gjaksore?
Të mos kishte ardhur komunizma, sot Shqipërija mund të ishte vendi më i qetë dhe më pak i dëmtuar i Evropës. Mbi gjithë këto vuajtje materiale, shtoi edhe pësimet shpirtërore të një populli të tërë që i shembet vatra, që i shuhet zjarri, që i thyhet gjithë e arthmja dhe i hapet një humnerë në jetën e tij, mosbesim nga çupa, djali, motra, nëna, baba, i dashuri, fisi, fqinji menjëfjalë, përmbysja e ekulibrit moral dhe shoqëror. Si do ta mbledhë i gjori njeri veten e tij mbas kësaj katastrofe dhe qysh do të bëhet i zoti të fillojë jetën normale?!
Mos më flisni për shërbimet politike që mund të kenë bërë komunistët duke luftuar okupatorin. Trimërija e tyre ka qenë e kufizuar me të djegure më të vrarë shqiptarë, me të çkatërruar dhjetra qytete dhe disa qindra fshatra, që do të ishin si rojtarë të atdheut. Shtoni mbi këto edhe rrënimet e Tiranës që u shkaktuan prej komunistëvet bash në orën tek po iknin Gjermanët. Doni të bëjmë fjalë për efektin politik që pati instalimi i regjimit moskovit në Shqipëri?
Tema imediate e politikës së çetës komuniste në Tiranë ka qenë prishja e marrëdhënieve me dy Fuqitë Aleate, Angli dhe Amerikë. Të dy Fuqitë liberale të botës janë armiqësuar me klanin “demokrat” të Tiranës nga shkaku:
1.Se agallarët e kuq e kanë kallur Shqipërinë në sgjedhën e Rusisë dhe të Serbisë: Enver Hoxha dhe banda e tij përgatisnin plane në ç’mënyrë ta bëjnë Shqipërinë një provincë serbe, edhe mbasandaj kanë guximin të thonë se kanë luftuar për lirinë e Shqipërisë!
- Se sejmenët e Rusisë, afro 6000 njerëz (oficerë, nëpunës, profesorë, industrialë, organizatorë, ushtarakë, por kryesisht spiunë dhe policë të G.P.U-s) sot janë sundonjësit e vërtetë të tokës shqiptare.
- Se sjellja e autoritetevet të Tiranës ka qenë armiqësore dhe pa edukatë, ky brutalitet me qëllim fyes, kishte filluar kundrejt Aleatëve që në fund të vjetit 1945. Por dy veprime më me rëndësi akoma u bënë shkak që bota e tërë, ajo botë që dëshiron paqe dhe drejtësi, të ndjejë një zemërim dhe një urrejtje kundrejt qeverisë së Tiranës dhe këto janë:
- Të prurët e Rusisë gjer në Sazan dhe në Sarandë, do me thënë në detit Jonian dhe afër Mesdheut Lindor.
- Të qëlluarit me top të vaporrëve anglezë të luftës nga bregu i detit shqiptar.
Nga kjo keqsjellje e qeverisë kuislinge të Tiarnës (themi “kuislinge” se nuk mund të quhet shqiptare një çetë që merr urdhër së jashtmi, dhe aq më tepër prej një shteti si Serbija që gjithnjë ka rrëfyer armiqësi kundër Shqipërisë), qeverija greke ka gjetur një shkak, një pretekst, për të formuluar pretendime absurde kundër vendit tonë dhe kërkesat e saj kanë zgjuar një jehonë të favorshme pranë njërit prej shtetevet të mëdhenj, të cilëvet u cënohen interesat jetike të tyre, kur Shqipërija sjell Rusinë në Mesdhe.
***
Tani, miqt e mij, nuk dua t’ju them fjalë të tjera. Po u drejtohem ndërgjegjes dhe ndjenjave tuaja. Nuk kini nevojë as për këshilla, as për lutjet e mia. Kolonitë tona, patriotizmën dhe shërbimin për Atdhe e kanë në traditë. Detyrën tuaj jua rrëfen ndjenja juaj njerëzore dhe inteligjenca juaj. Këtë letër po ua dretonj atyreve që e dinë ç’do me thënë dashuri e prindërvet, që e ndjejnë mallin e Atdheut dhe që mbajnë gjithnjë gjallë nostalgjinë e vatrës së largët të tyre. Gjaku ujë s’bëhet. As edhe njeriu nuk mund të bëhet bishë.
Komunizma, s’kam as më të paktin dyshim, që e keni kuptuar edhe vetë, është sëmundje e tmerruar si tërbim i qenvet dhe ujqërvet, është një kolerë që nuk çkatërron vetëm trupin, por edhe më tepër akoma zemrën dhe shpirtin e njeriut. Jam i sigurt që asnjerit prej jush nuk i pëlqejnë këto sëmundje. Prandaj edhe juve ju bije një detyrë, edhe më urdhëronjëse akoma: të hyni edhe ju në udhën antikomuniste që ka filluar jo vetëm në Shqipëri por edhe n’Amerikë.
Mos harroni se Shqipëria gjindet në një moment delikat. Kujtoni përgjegjësinë tuaj përpara historisë. Kolonitë tona nuk mundin të rrinë indiferente, janë në vende të lirë, janë larg territorit, larg kanosjevet gjaksore të Koçi Xoxëvet dhe çdo indiferencë të tyre, kur atdheu heq çaste agonije, merr formën e një krimi të urrejtshëm.
Kemi sigurinë se do të mbushni detyrën tuaj. Do t’i bëni një mur komunizmës me vullnetin tuaj, me zemrën tuaj dhe me patrotizmën tuaj. Me këtë bindje, ju uronj shëndet edhe punë të mbarë.
Mid’hat Frashëri
Në mërgim më 1 dhjetor”.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.