Botohen për herë të parë, foto të rralla nga jeta në kampet e internimeve dhe dënimeve në fshatrat e Lushnjes. Fotot janë pjesë e ekspozitës “Dinjiteti përballë Totalitarizmit”, hapur nën kujdesin e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
Nga Blerina Gjoka
“Në këtë foto jam me shokun e fëmijërisë Kosta Lefter Guveli, në Savër të Lushnjes. Dilja në apel në mëngjes dhe darkë, isha vetëm 14 vjeç. Në dokumentat e M.Brendëshme thuhet: Simon Mirakaj 10 vjeç dënohet dhe i shtohet dënimi me 5 vjet, për rrezikshmëri shoqërore, po 5 vjet për rrezikshmëri shoqërore dënohet dhe vllai, Sokoli, që ishte 12 vjeç. Dënimi i dhënë nga komisioni i internim-dëbimeve. Dënim që fillesën e kishte në 1945 dhe përfundoi në 1989”. Kështu e përshkruan Simon Mirakaj foton e fëmijërisë së tij, të kaluar në kampet e internimit të komunizmit.
Ai dhe shumë fëmijë të tjerë, u rritën me frikën nga vija e ujit që ndante fermën 29 nëntori, nga pjesa tjetër e fshatrave të Lushnjes. Ishte frika që i mbante larg atij kanali, që ishte kufiri mes Shqipërisë tjetër dhe zonës ku jetonin të internuarit.
Atyre u duhej leje e posaçme për të kaluar atë kanal me ujë.
Qindra shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, kryesisht në veri të vendit, u detyruan të jetojnë në kampet e internimit që krijoi diktatura komuniste, që në vitet e para të saj.
Në fillim, kampet ishin të ngjashëm me kampet naziste të përqendrimit, të rrethuar me tela me gjemba dhe me roje të armatosura. Por më pas, ato u kthyen në kampe pune pa tela dhe pa roje, por me një kufi natyror që nuk guxonte askush ta shkelte, se i dinte pasojat.
Kampe të tilla me shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, nga jeta e tyre dhe nga qyteti i tyre, të cilëve u ishte konfiskuar pasuria, u ishin pushkatuar apo dënuar në burgje familjarët, kishte në të gjithë Shqipërinë, nga Berati në Zadrimë. Komunizmi kishte zgjedhur pothuaj në çdo zonë fshtatrat që i përdorte për internim-dëbimet e “armiqve të popullit”.
Lushnja ishte një nga zonat më të mëdha të grumbullimit të familjeve të internuara. Aty ata kaluan dekada të tëra të jetës së tyre. Ka disa prej tyre që vijojnë të jetojnë akoma aty, pranë barakave të impovizuara që kishte ndërtuar sistemi për ta.
Jozef Radi, i lindur në internim, djalë i Lazër Radit, shkruan se një fshat në Lushnje kishte mbledhur brenda tij familjet më intelektuale të kohës.
“Në ditën e parë të çangës në apelin e parë, të, kampit të parë të dhunës së pafundme do të përgjigjeshin familjet Markagjoni, Pervizi, Bajraktari, Dukagjini, Kokali, Dine, Vatnikaj, Koliqi, Biçaku, Mulleti, Alla, Merlika, Topalli, Radi, Alizoti, Matjani, Kupi, Dosti, Kaloshi, Tinaj, Kolgjini, Sina, Bami, Plasoti… etjerë… nji listë kilometrike, e cila plotësohej përditë me “mish” të freskët nga e përjetshmja “luftë klasash”. Jo pak për të qenë legjendë, nëpër at vend do të kalonin familjet e pesë kryeministrave shqiptarë: Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës dhe Fiqiri Dines! S’ma merr mendja se mund të ketë ndonjë fshat të kësaj botë ku të kenë jetuar pesë familje Kryeministrash… e pra Shqipëria e ka! Savrën!”
Gazmend Kapllani, shkrimtar e pedagog në SHBA, i lindur në ato baraka, thotë se duhet promovuar kultura e kujtesës.
“Herën e fundit që isha në Lushnje im atë më tregoi sërish dosjen e familjes tonë, që kishte arritur të merrte nga arkivi i sigurimit. Eshte logjikisht e pamundur të përshkruhen gënjeshtrat e paturpshme dhe të llahtarshme që ishin shkruajtur në atë dosje për gjyshërit dhe të afermit e mi, në mënyrë që të përligjej vjedhja me dhunë e pronave të familjes, burgosja dhe torturimi çnjerëzor i gjyshit tim, përzënia nga shtëpia natën si kriminele dhe degdisja në një kasolle në periferi të Lushnjes (në atë kasolle ku kam lindur unë), damka e “armiqve” për gjithë jetën, frika dhe tmerri se në çdo valë spastrimi që bëhej mund të bëheshim përsëri shënjestër e regjimit dhe të na internonin”- shkruan ai duke marrë shkas nga ekspozita “Dinjiteti përballë Totalitarizmit”.
Këto foto të krijojnë iluzionin e një jete të bukur, me burra që pozojnë pas një ndeshje futbolli, burra që punojnë, me fëmijë që buzëqeshin para aparatit fotografik , një nuse në të bardha në ditën e saj më të bukur, etj.. Këto ishin momente të rralla, ku të internuarit kishin mundësi të fiksonin në celuloid veten e tyre për ta pasur kujtim. Fotografitë nuk mund të fiksonin frikën me të cilën jetonin, dhimbjen për humbjen e të afërmëve, të shtëpive e gjithçkaje që kishin pasur më parë. Fotografia nuk mundet të tregojë dhimbjen e intelektualit, njeriut të shkolluar jashtë, përkthyesit, shkrimtarit, inxhinierit apo artisitit, që punonte në kanal nga mëngjesi në darkë. Fotoja nuk mundet të tregojë jetën e kthyer përmbys, por vetëm të na dokumentojë se në ato vende pune fizike dhe frike nga operativi i sigurimit kishte akoma jetë.
E vërteta e përditshmërisë së tyre të izoluar nga Shqipëria tjetër nuk duket në këto foto.
Jeta në kampet e internimit
Që prej vitit 1945, internimi u përdor si masë ndëshkimore ndaj kundërshtarëve politikë. Në fillim u praktikua sistemi i kampeve të internimit të rrethuara me tela me gjemba dhe i ruajtur nga anët kryesore me roje të armatosura.
Vendet e identifikuara si qendra internimi politik ishin me dhjetëra në të gjithë Shqipërinë. Deri në vitin 1954 vazhdoi tipologjia e kampeve të internimit të rrethuara me tela me gjemba, në të cilët jeta e të internuarve ishte e vështirë. Pas vitit 1954 nuk bëhej fjalë më për zona të mbyllura si kampet e përqendrimit, por ishin fshatra nga të cilët të internuarit nuk mund të largoheshin pa leje. Çdo ditë të internuarit duhet të paraqiteshin për të firmosur në një regjistër në zyrën e Sigurimit apo të policisë. Zonat më të njohura ishin fshatrat në rrethet e Fierit, Lushnjës, Vlorës e Beratit, por në të vërtetë në të gjithë Shqipërinë kishte fshatra që përdoreshin për këtë qëllim. Kriteri i përgjithshëm vazhdoi të ishte se banorët e veriut internoheshin në jug dhe anasjelltas, duke zhdukur kështu kontaktin me territorin e origjinës dhe me miqësitë e vjetra. Të internuarit kryesisht punonin nëpër kooperativat bujqësore, por shpesh i angazhonin edhe në ndërtime publike ose rikonstruksione siç bënin edhe me të burgosurit politikë.
Tabloja e mësipërmve vjen nga Beqir Meta dhe Ermal Frashëri në studimin e tyre mbi sistemin e burgjeve dhe kampeve në diktaturë.
“Kampet ishin të përshtatura në godina të vjetra, si depo repartesh, magazina ose baraka. Duke qenë se të gjitha këto kampe, nuk ishin të ndërtuara për të strehuar familjarë, por ato u përshtatën me shpejtësi si kampe grumbullimi apo përqendrimi, siç shprehej Enver Hoxha shpesh në mbledhjet e Byrosë Politike, kushtet elementare të jetesës, ushqimi, fjetja, higjiena, linin tej mase për të dëshiruar.
Që prej marsit 1945, deri më 1949, ishin dy kampe të kësaj natyre, në Berat dhe në Krujë. Si rregull, të internuarit nga Veriu dërgoheshin në kampin e Beratit dhe ata të Jugut në Krujë. Kjo ishte një taktikë e mirëmenduar, pasi shmangte familjaritetin që mund të krijohej midis të internuarve dhe rojeve të kampit. Njëkohësisht kjo gjë krijonte vështirësi për familjarët e të internuarve të kujdeseshin për ta dhe t’u siguronin ndonjë mundësi më shumë për ushqimin dhe higjenën” – thuhet në studim.
Si u krijuan dhe si ndryshoi funksioni i kampeve komuniste
Lek Pervizi i ka mbijetuar kampit më famëkeq të komuznimit shqiptar, i ngjashëm vetëm me kampet e shfarosjes së nazizmit, atij të Tepelenës. Falë skicave të tij sot kemi një tablo të qartë se çfarë ka ndodhur në atë kamp, se si nënat varrosnin fëmijët nga uria e sëmundjet, se si jetonin qindra njerëz në një kapanon, si ushqeheshin me barishte dhe bënin punë të rënda. Pervizi na sjell dhe një pasqyrë të fazave të ndryshme të krijimit e funkissonimit të kampeve të internimit, dhe kryesisht të kampit famëkeq të Tepelenës si më poshtë;
Në Prill-Maj 1945, familjet e veriut internohën në qytetin e Beratit, ndërsa ato të Jugut në qytetin e Krujës. Vetëm me 500 gramë bukë misri në ditë, pa sigurim banese, të detyruar të gjenin vetë. Pas prishjes me Jugosllavinë, u internuan qindra familje veriore dhe Berati u mbush plot e përplot, duke u kthyer në qytet të internuarish.
Në verën 1948, të internuarit e Beratit transferohen me 38 kamionë të ushtrisë në Turan, Veliçot e Memaliaj të Tepelenës, ku plas kolera e vdesin shumë të internuar, kryesisht fëmijë. Këtu e ka nisjen dhe kampi mizor i Tepelenës.
Më 19 maj të gjithë të internuarit vendosen në ish kampin e ushtrisë italiane, ku buka u jepet gruri e nga nje lugë supe në ditë. Të mbyllur në katër kazerma të mëdha me skela dykatëshe druri, për fjetje e banim.
Më Gusht 1949 internohen aty 500 familje mirditore me shkak të vrasjës së Bardhok Bibës. Kështu që të internuarit arritën në 4000-5000 frymë, shumica dërmuese pleq, gra e fëmijë. Njëkohësish krijohët kampi i Porto Palermos, ku kalaja ishte një burg i vertetë, 1949-1951.
Më 1952 puna e detyruar ndalohet dhe forcat e punës transferohen në kampe të tjerë, për ndërtim objektesh të Ministrisë së Brendshme dhe në Fabrikën e Tullave në Tiranë. Lirohen pjesa më e madhe e të internuarve mirditorë. Në vend të tyre bien aty të internuarit jugorë të Krujës, Valiasit e Kamzës.
Në fund të nëntorit 1953 kampi mbyllet, me nisjen e kamionit të fundit me të internuar, për në Savër të Lushjës, qendër e internimit, ku ishte dhe komanda. Të internuarit vendosën në 11 sektorë-kampe të fermës 29 Nentori. Saver, Pluk, Gradishtë, Grabian, Rrapëz, Gjaze, Gurrëz, Dushk, Zamë, Cermë e Sulzotaj, si dhe në ndonjë fshat kooperatist.
1954-1958, krijohet kampi i Kuçit të Vlorës, me 100 burra, prej tyre, 60 intelektualë të lartë, 20 të rinj (nga Savra e Pluku) dhe 20 ish te burgosur ballistë e zogistë.
Nga 1958 deri 1990, nuk pati ndryshime, përveç një lirimi më 1964, ku përfituan të 60 intelektaulët e kampit të Kuçit të Vlorës e disa familje e individë, por vazhdonin dhe internime të tjera. Pati dhe arrestime e dëbime me nga 10 vite burg të disa të internuarve, si dhe demaskime para popullit të internuarve gra e burra.
Gjatë kësaj kohe, përveç Lushnjës, ishin njohur si kampe internime, Lakatundi i Vlorës dhe ferma Çlirimi e Fierit. Por nuk mbeti rreth pa kamp-fshat ose kam-kooperativë- internimi, për familje dhe individë, që vazhduan deri më 1990.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.