“Moj nanë…nana jeme.. sa janë ka m’dhamin eshnat…. ”

0
260
blank

Janë mundimet e Dom Mikel Beltojës kur torturtohej nga xhelati komunist, Shyqyri Çoku, të cilin e dekoroi qeveria e Edi Ramës, një vit më parë. Dëshmi për torturat ndaj klerikëve nëpër burgjet komuniste atë dimër të ftohtë midis dhjetorit 1973 e shkurtit 1974. Është historia e njërit prej klerikëve shqiptarë të vrarë nëpër tortura gjatë diktaturës komuniste

Ato eshtra të klerikut i ka thyer Shyqyri Çoku, i cili për fat të keq u dekorua një vit më parë nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Ministrja e dekoroi xhelatin si veteran të luftës, ndërkohë që Mimi Kodheli e shefi i saj, kryeministri Edi Rama, i kanë lexuar me siguri tekstet që flasin për shumë jetë njerzish të prera në mes nga xhelati Shyqyri Çoku. Njëri prej tyre është Dom Mikel Beltoja, i cili e ka falur qysh atëherë, kur si bishë sulej mbi  të, për ta sakatuar deri në ashtin më të fundit. E ka falur se është lutur për të që Zoti ta falë bashkë me eprorët e tyre të diktaturës komuniste.

“Hapeni dosjen e Shyqyri Çokut”, tha ish-ambasadori gjerman në Shqipëri në vitet 1987 -1990, Verner Daun. “Hapni dosjen e Shyqyri Çokut dhe nëse është përgjegjës të dënohet dhe t’i hiqet medalja! Të dënohet sipas ligjit për vrasje të shumëfishtë”. Thirrjes së ambasadorit Lu, askush nuk I është përgjigjur deri tani. Ndërkohë që është vërtetuar me dokumente të pakundërshtueshme se xhalti Shyqyri Çoklu ka torturuar edhe At Zef Pllumbin e akademikun Sami Rrepishti ndër shumë të tjerë. Xhelati vazhdon ta gëzojë dekoratën që I ka dhënë qeveria e Ramës dhe natyrisht që nuk ka shfaqur asnjë shënjë pendese për krimet që ka kryer.

Ka dëshmi që e ka shqyer gjymtyrësh priftin shkodran që nuk kishte bërë asnjë mëkat tjetër, veçse predikonte besimin në zot.

Luara Keçi ka dëshmuar për torturat që Shyqyri Çoku i ka bërë dom Mikel Beltojës. E ndante veç një mur me qelinë e dom Mikel Beltojes. Ishte vetëm 16 vjeç, kur komunistët e arrestuan sepse kishte guxuar të bënte kryqin. Ishte viti 1973, kur gjimnazistja shkodrane do të torturohej nëpër birucat e diktaturës dhe atje do të shihte me sytë e saj torturat ndaj të burgosurve politik  për të veçuar një prej tyre, Dom Mikel Beltojën.

 Dëshmia

“Isha 16 vjeç kur u arrestova. Më futën në një birucë dhe aty afër meje në një tjetër ishte Dom Mikel Beltoja. Dua të tregoj me pak fajlë si e torturonin njeriun e Zotit. Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me sigjir në birucën e tij, ku priste vendimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si duket ishte shumë e ngrohtë mbasi nga djegia e saj ndigjohej virrma e priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmet e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohem, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye…  Tashti e kuptoj se i banin gjylpana se, kur fillonte me i ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve e si nëpër gjum fliste: Ah, moj nanë… nuk kam kockë të pathyeme…Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!.. cokuAi vuante pandërpremje e bashkë me té edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerrshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit. Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë…, por gjithmonë zhag…

blankNjë ditë prej atyre ditëve të zeza, isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarëshme, vuejtje, tortura, gjak, një tmerr i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen. Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmerr i vërtetë….isha e lame në djersë… Disi u skapullova, kur pashë se jam në birucë, por si duket, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje… Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të them… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë. Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mijë, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!…Rrnoftë Shqipnia!, Rrnoftë Krishti!” Zani i Tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve…edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue, nëse ndigjohet prap zani i Tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku! Ai iku në Mbretni të Qiellës… Dom Mikel Beltoja u pushkatua më 10 shkurt 1974”, rrëfen Laura Keçi. Dëshmia e Luara Keqit është marrë nga Fritz Radovani, Melburn 2015.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here