Pjetër Arbnori: Në birucat e Burrelit ku shfrytëzoheshim për të përkthyer libra për krerët e regjimit

0
601
blank

“Si shfrytëzoheshin njohuritë e të burgosurve Mirash Ivanaj, Mitrush Kuteli, Gjon Shllaku, Vexhi Buharaja, etj. Me përkthimet fitonim vetëm 2 kg sheqer në muaj”

(Në foto: Pjetër Arbnori me nënën e tij pas daljes nga burgu)

Në vitet e burgut, intelektualët shfrytëzoheshin për t´i shërbyer pushtetit. Udhëheqësit donin të dinin ç´ndodhte në botë, me historinë, mendimin, letërsinë, ekonominë, politikën, shërbimet sekrete, etj. Për këtë shërbenin njohuritë e shumta të Mirash Ivanajt, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut, dhe shumë eruditëve të tjerë, të cilët ishin të detyruar të përkthenin librat që iu duheshin pushtetarëve, të cilët i mbanin vetëm për vete. Ata libra nuk botoheshin për masën dhe nuk dilnin kurrë jashtë rrethit të ngushtë të udhëheqjes. Një ndër të burgosurit që u detyrua të përkthente në burgun e Burrelit ishte edhe Pjetër Arbnori. Në këtë intervistë të tijën të vitit 2004 ai e shpjegon imtësisht procesin e punës së përkthimti të detyruar në burgjet komuniste.

Si u njohët ju më përkthimin e detyruar në burg?

Në pranverë të vitit 1951, ime motër Antonjeta, u burgos për të dytën herë politikisht. Mbasi ndjenji shumë kohë e izoluar dhe pak kohë në burgun e madh të Shkodrës, e dënuar me dhjetë vjet, një ditë na erdhi në shtëpi një zarf i hapur me adresën e saj të re: BURGU I ARMIQVE TE POPULLIT. PUNETORIA QENDRORE E ARTIZANATIT E MINISTRISE SE PUNEVE TE BRENDSHME, TIRANE. Mbërrita në një fushë të larë, ku më zuri syri një kamp përqendrimi të rrethuar me mure të larta, tela me gjemba dhe korrenti dhe kulla rojash.

- Te ajo dritarja me hekura e katit të dytë, roja vrau kot së koti Kasem Zhupën, diversantin e hedhur me parashutë bashkë me Ethem Çakon, - na shpjegoi një ish i burgosur që kthehej për të marrë vërtetimin e punës.

- Ndërsa në arën aty përballë, te shtëpia përdhese, ku dallohet një pllakë mermeri, qe rrethuar dhe vrarë Qemal Stafa dhe qe arrestuar nga fashizmi e fejuara e tij, Drita Kosturi, komuniste e orëve të para.

- Drita Kosturi – ndërhyra unë për t'u shitur se di edhe unë diçka - tani është dënuar përsëri njëzet vjet nga shteti komunist si "spiune e imperializmit". Tani ka ardhur këtu nga Shkodra bashkë me motrën time dhe paska çdo ditë përballë vendin ku iu vra i fejuari dhe u arrestua vetë. E dhimbshme shumë!

E dhimbshme, po sa më pak të flasësh, aq më mirë është për ty!Te porta e madhe e hekurt, pranë një kanali me ujë të ndenjur, ishin ngulur si kryqe ca dërrasa të shkruara me të zeza: ARMIQTE... ORDINERET... OFICINA... RROBAQEPSIA... MESAGJERIA...

Pranë secilës dërrasë, ishin grumbulluar sopratasa dhe torba me emra të varur që prisnin radhë, për t'u futur brenda portës. MESAGJERIA kishte më pak torba, dhjetë apo pesëmbëdhjetë. Ish i burgosuri më tregoi se në atë sektor, gjendeshin përkthyesit.

Akoma nuk e kam marrë vesh, përse ai sektor quhej "Mesagjer", sado që kam kontrolluar shumë fjalorë të huaj dhe sado që mbahem se kam përkthyer libra nga katër gjuhë të huaja.

Pas shtatë vjetësh, kur motra kreu dënimin e dytë më shpjegonte nder të tjera: Ishin herë dy, herë tri dhoma përkthyesish. Në to ishin të mbyllur njerëz ndër më të nderuarit e burgjeve, qoftë nga dituria, qoftë nga pozita që kishin pasur. I shikoja nga larg, por e kishim të ndaluar të komunikonim me ta. I pari, ishte Mirash Ivanaj, ish-ministri Reformator i Arsimit i kohës së Zogut. Më 1945, Enver  Hoxha e ftoi të vinte nga mërgimi nga… "për të ndihmuar atdheun". E thirri në zyrë, diskutuan gjatë bashkë, nuk u morën vesh në asgjë dhe diktatori Hoxha e dërgoi të ftuarin në burg, e dënoi, e la të vdiste nga sëmundjet dhe uria. Eshtë proverbiale që te tabela MESAGJERIA, nuk dukej kurrë një torbë apo një sopratas me emrin e Mirash Ivanajt, por është edhe më proverbiale fakti që çdo drekë, idealisti Ivanaj shtronte një mësallë të pastër, një copë bukë, një pjatë me bollgur të neveritshëm, një vezë të zier, kurrë të qëruar, gjithmonë të mbështjellë, me muaj pa u ngrënë, një copë djath të thatë që gjithnjë e çonte te goja, po kurrë nuk e kafshonte, në mënyrë që të mos i jipte njeriu gjë, e as të mos pranonte një ushqim prej të tjerëve. Në këto kushte, përktheu me muaj e vite profesori i nderuar dhe ne, nxënësit e asaj kohe, mësonim dispensa të përgatitura prej tij dhe shokëve të tij, derisa ai dha frymën e fundit. Në Mesagjeri punoi edhe shkrimtari madh Mitrush Kuteli. Aty përkthente edhe Ali Cungu, nxënës i dalluar i shkollës teknike amerikane, Beqir Haçi, Gjon Shllaku, përkthyesi i Homerit, Vexhi Buharaja, e shumë e shumë të tjerë.

Po ju si hytë në rrethin e këtyre përkthyesve?

Nëpër kampe, komisarët u porositën të pyesnin: Cili dinte gjuhë të huaja: anglisht, frengjisht, gjermanisht, italisht, latinisht, greqishte të vjetër apo turqisht. Gjuha e parë për të cilën pyetej, ishte rusishtja, por asnjeri prej të burgosurve të parë, nuk e dinte atë. Shumë autodidaktë, u vunë për ta mësuar atë me ngutje, meqë më 1949 rusishtja u bë gjuhë kryesore përkthimi. Më vonë, u zgjidh problemi thjesht: U arrestuan pas 1961 shumë prosovjetikë, që kur nuk u pushkatuan si spiunë, u vunë të shërbejnë si përkthyes nëpër biruca.

Në atë kohë Akademia e Shkencave kishte mbetur pa specialistë, ministria e Arsimit kishte mbetur pa tekste. Ministria e Punëve të Jashtme pa konventa të përkthyera. Partizanët entuziastë mund të vrisnin për një minutë dhjetra njerëz të ditur, por nuk mund të krijonin me "normë" shkollarë të përgatitur.

Në fillim të vitit 1961, u arrestova dhe gjeta shumicën e brezit të vjetër të vdekur, të kaluar nga burgu në internim, apo "të lirë" që gjallonin si "mumje", as shikonin, as dëgjonin, as flisnin për të mos përsëritur burgun që megjithatë u gjindej sebepi për t'iu futur dy herë e tri herë brenda. Pas katër vjetëve izolim dhe dy vjetëve kamp ndërtimi, më transferuan si të pabindur e të pakorigjueshëm në Burgun e Burrelit.

Një ditë, ne që ishim më veshhollë, dëgjuam urdhrin "të gjithë brenda", zhurmën e nallaneve që shpejtonin me ngut dhe simfoninë e shulave të rëndë që mbylleshin me kyçe. Këpucët e rënda të rojes, po afroheshin në korridor. Shikova me bisht të syrit djathtas e majtas. Nxora një palë çorape të leshta nga nënkresa dhe i vesha. Futa dy-tri shami hundësh në xhepa. Pa bërë zë, i mora një shoku një zhile të leshtë. Kërciti dera dhe u thirr emri: Pjetër Arbnori në komandë! Në të ngritur, kapa xhupin e pambuktë mes dyshekëve që ta kisha për çdo rast.

Një numër oficerësh madhorë ndodheshin përballë meje në zyrë. Në qendër një zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Ndërsa mbi tryezën e ndritshme ishte një turrë librash të rinj, me kopertina të shkëlqyera botimesh të huaja. Ju kemi sjellë për të përkthyer disa libra që na duhen. Merrini, shikojini. Këshut më thanë ndërsa unë i mora nëpër dorë.  Na duhen shpejt dhe me cilësi. Do të punoni në dhoma të veçanta. Askush nuk duhet t'i lexojë, as librat, as dorëshkrimet. Ta kemi prerë, dënoheni… dhekësisoj u futa dhe unë në rrethin e tyre.

Ju shpërbleheshit për punën e detyruar që bënit në birucë?

Shpërblimin a thanë që atë ditë. “Do të keni racionin e bukës tetëqind gram, një gjellë pak më të mirë, do të keni sipas normave nga dhjetë lekë në ditë shpërblim dhe nga dy ditë e shtatëdhjetë cent zbritje dënimi në muaj. Takim të zgjatur me familjen nga 20 minuta, një herë në muaj. Në banjo do të shkoni sa herë të keni nevojë. Dhoma të lira nuk kishte asnjë në Burrel. Edhe më e pakta, kishte tridhjetë vetë brenda. Në vend të dhomave, na dërguan në katër biruca. Na vunë nga një gjysmë të prerë fuçie bitumi bosh dhe qyngje sobe. Dritares së boshatisur i vunë për të parën herë nga një xham ose nga një karton; sollën nga një tavolinë, dy karrige, një tufë me letra të bardha; diku po diku jo nga një makinë shkrimi.

Sa përkthyes ishit në rrethin ku bënit pjesë edhe ju?

Ishim ndarë në çifte. Isha unë dhe Uran Kalakulla; Engjëll Çoba, jurist, zëvendës ministër dhe Xhavid Qesja sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Qarkut Shkodër; Vangjel Lesho gazetar, dhe Iljaz Spahiu nëpunës ambasade në Rusi; Fehmi Frashëri nëpunës ambasade, ekonomist në Rusi dhe Ivan Çami inxhinier.

Dhe cila ishte dita juaj?

Gjithë ditën shkruanim papushim në biruca, natën shkonim për të fjetur në dhomat tona; ajrimin e bënim secili në kohën e caktuar me dhomën e vet. Problemi ishte se rojat nuk kishin dëshirë të na takonin me dhomat e tjera, sidomos ne "spiunët" e Perëndimit me të dënuarit "antiparti", ose si quheshin ndryshe "të mesit" apo "revizionistët".

Cilët ishin librat e parë që ju sollën për të përkthyer?

Në fillim na sollën disa  libra. Ihste “Ditari i kolonelit Penkovskij” - një kolonel i zbulimit sovjetik i vënë vullnetarisht në shërbim të Intelegent Service britanike dhe CIA-s amerikane, në kohën e krizës së Berlinit dhe krizës së raketave në Kubë, i cili dha mbi 5000 dokumente origjinale dhe informacione sekrete sovjetike gjatë viteve 1959-1962. Këtë libër e kam përkthyer unë dhe Uran Kalakulla.  Ishte edhe “Lufta Partizane në Ballkan”. Dokumente sekrete mbi marrëdhëniet dhe bisedimet Tito-Churchill, Tito-Stalin. Marrëdhëniet e komunistëve jugosllavë - shqiptarë e grekë. Këtë e përkthyen Engjëll Çoba dhe Xhavid Qesja. Ndërsa vangjel Lesho dhe Ivan Çani përkthyen “Libër mbi CIA, teknikat njerëzore e shkencore”. Unë kam përkthyer në atë kohë edhe librin “Lufta u fitua në Zvicër 1939-1945 Çështja Roessler - "Lucy" dhe “Kundërzbulimi francez”.

Në çkushte punonit, a kishit presion?

Dhoma të lira nuk kishte asnjë në Burrel. Edhe më e pakta, kishte tridhjetë vetë brenda. Në vend të dhomave, na dërguan në katër biruca. Na vunë nga një gjysmë fuçie të prerë bitumi bosh dhe qyngje sobe. Dritares së boshatisur i vunë për të parën herë nga një xham ose nga një karton; sollën nga një tavolinë, dy karrige, një tufë me letra të bardha; diku po, diku jo nga një makinë shkrimi. Çiftet ishin: 1) Pjetër Arbnori – Uran Kalakulla; 2) Engjëll Çoba, jurist, zëvendësministër - Xhavid Qesja, sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Qarkut Shkodër; 3) Vangjel Lesho, gazetar - Iljaz Spahiu, nëpunës ambasade në Rusi; 4) Fehmi Frashëri, ekonomist, nëpunës ambasade në Rusi - Ivan Çami, inxhinier - Qamil Disha nëpunës i Komitetit të Partisë së Punës.

Gjithë ditën shkruanim pa pushim në biruca, natën shkonim për të fjetur në dhomat tona; ajrimin e bënim secili në kohën e caktuar me dhomën e vet. Problemi ishte se rojat nuk kishin dëshirë të na takonin me dhomat e tjera, sidomos ne "spiunët" e Perëndimit me të dënuarit "antiparti", ose si quheshin ndryshe "të mesit" apo "revizionistët".

I vetmi ishte ish-sekretari i përgjithshëm i kryeministrit Mustafa Kruja, juristi i njohur Ejëll Çoba dhe ish-sekretari i parë i Partisë së Punës së Qarkut Shkodër, Xhavid Qesja, i dënuar, sepse e quajti kryengritjen hungareze të 1956-ës revolucion dhe jo "kundërevolucion". Xhavid Qesja, i indinjuar nga shokët e vet të majtë, që ishin pro pushtimit të Çekosllovakisë më 1968 nga trupat ruse të Brezhnjevit, bëri një grevë urie dhjetëraditëshe, deri sa doli nga dhoma e komunistëve e vajti në birucë.

“Pjesë e një interviste të gjatë të Pjetër Arbnorit dhenë në vitin 2004”

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here