Shën Mëhilli i përgjakur!

0
350
blank

Masakra komuniste e 28 shtatorit të vitit 1946, ku u vranë djem e burra të krahinës së Nikaj-Mërturit, nga regjimi komunist. 

Kur xhelati Xhemal Selimi thirri emrin e Zefit, djalit të parë të familjes së Mark Alisë,  i dyti Ali Marku, i tha xhelatit: Unë jam djali i madh i familjes! Pas pak sekondash u ngrit Marash Marku dhe tha: “Asnjëri prej tyre nuk është i madhi. I madhi jam unë, prandaj mua më takon të pushkatohem!” Kjo bisedë po zhvillohej në logun e burrave në Kodër të Bek Selimit në Nikaj-Mërtur, ditën e Shën Mëhillit, më 28 shtator të vitit 1946. Xhelatët komunistë po përzgjidhnin burrat e djemtë e këtij fisi, t'i çonin para togës së pushkatimit. Do të mbahet mend përjetë, sakrifica sublime e tre djemve të Mark Alisë, debati mes tyre për të zënë vendin e  parë, si më i madhi e për të shkuar drejt vdekjes që ia kishte përcaktuar Xhemal Selimi.

blankPas këtij debati midis vëllezërish e midis trimash të vërtetë, që zgjati disa minuta dhe i habiti të gjithë pjesëmarrësit, ku secili prej vëllezërvë ishte i gatshëm të jepte jetën për të shpëtuar jetën e vëllait të tij, Zef Marku, këmbëngulës arriti i pari tek “gijotina” dhe sapo hyri poshtë rrëpirës, xhelati Xhemal  Selimi, si zakonisht zbrazi “mbi të” krehërin e automatikut. Drejt së njëjtës rrugë, shkuan edhe vëllezërit e tjerë, shumë djem e burra të Nikaj-Mërturit. Të shtunën më 28 shtator, u organizua  një takim përkujtimor në nderim të djemve e burrave që mbetën të varë në betejën me xhelatët komunistë, 72 vjet më parë.

Historiani Dodë Progni, sjell detaje të dhimbshme të asaj dite në logun e burrave në kodër të Bekë Selimit në Nikaj Mërtur, ku mbetën të vrarë qindra djem e burra të kësaj krahine, nga dora e xhelatëve komunistë.

Nga Dodë Progni

Ishte 28 shtatori i vitit 1946. Në Nikaj-Mërtur kjo është një datë e shënuar, pasi festohej nata e Shën Mëhillit. Ndër shekuj, nikajmërturesit e kanë pritur me gëzim këtë natë të madhe. Me këtë rast, nepër kullat malësore piqeshin feligjet në hell, pihej venë e raki dhe jehonte kënga me lahutë e çifteli. Si një nga ditët e festave më të rëndësishme katolike, kjo natë krijonte kudo atmosferë festive dhe gëzim. Mirëpo, 28 shtatori i vitit 1946 ishte më i veçanti i të gjitha kohërave. Ai, u kthye në një ditë ankthi, frike e terrori për të gjithë krahinën. Qysh një natë më parë, krahina ishte rrethuar nga forca të shumta ushtarake komuniste. Në dhjetra pika ishin vendosur grupe njerëzish të armatosur, që kontollonin çdo kalimtar. Në Nikaj-Mërtur ish qit kushtrimi që të mblidheshin të gjithë burrat e krahinës, nga 16 deri në 70 vjeç, tek Kodra e Bek Selimit, që ish vendi i tradicional i kuvendeve të fisit të Nikajt. Aty ishte një lëndinë e gjelbëruar, e cila nga ana jugprendimore, jo më shumë se 2-3qind metër larg, ishte komanda ushtarake e operacionit. Ndërsa në anën lindore, ajo përfundonte me një rrëpirë që zbriste thikë, deri në breg të lumit të Zi, rreth 600-700 metra lartësi. Edhe kjo fushëz qe rrethuar nga forca të shumta të armatosura. Njerëzit që vinin nga fshatra e drejtime të ndryshme, një nga një ose grupe-grupe të vogla, futeshin brenda atij rrethimi të hekurt, nga ku nuk guxonin të dilnin më për asnjë arsye. Kurrë malësorët e kësaj krahine nuk kishin përjetuar një poshtërim të tillë. Ata ishin futur si në një vathë të madhe, rrethuar nga njerëz të armatosur më keq se të ishin kafshe të egra ose robër lufte. Pasi qenë grumbulluar të gjithë burrat e krahinës, rreth 1000 të tillë, e mori fjalën komandanti i operacionit – major Musa Daci.

Një burrë me trup mesatar, me nje fytyrë të kuqërremtë e sy që shprehnin urrejtje. Me një të folur jugore të shpejtë, të shkurtër dhe kërcënuese tha: “Ju kemi thirrur për të dorëzuar armët. Ne e dimë se shumica nga ju keni armë. Jo nga një e dy, po nga tre e katër copë. Emrat dhe numrin e armëve që ka secili prej jush, ne e kemi të regjistruar, prandaj të mos përpiqet askush për t’i mbajtur të fshehura. Dhe dijeni,- shtoi majori me mllef, - sot është dita jonë. Kemi ardhur të marrim armët me të cilat ju na keni qëlluar në Qafën e Kolçit. Tani e tutje, ju nuk do të keni më armë në duar, sepse ato do të përfundojnë në magazinat tona”. Vërtët, në nëntor të vitit 1944, i gjithë Nikaj-Mërturi, i madh e i vogël, nën thirrjen kushtrimtare: “Ooo Hiq kushtrim se ra komunizmi serb!” u kishin dalë përballë forcave partizane të Brig. VI S në Qafën e Kolçit dhe tek lumi i Mërturit, i kishin zbrapsur ato, dhe vetëm pasi kjo brigadë mori në përforcim Brig. e XXV S, të dyja së bashku, kishin arritur të pushtojnë krahinën. Tani forcat komuniste, nën pretekstin e mbledhjes së armëve, kishin vendosur të hakmerreshin kundër kësaj popullsie “rebele”.

Pas këtyre fjalëve kërcënuese, në logun e burrave ra heshtja. Malësorët gjendeshin në një situatë tepër të vështirë. U kërkohej gjëja më e shtrenjtë për ta, armët. Armët për malësorët kishin qenë nder dhe kult. Kurrë nuk i kishin dorëzuar ato. As turkut, as shkaut, as italianit, as gjermanit, as kërkujt, sepse ato kishin qenë garancia e ekzistencës së tyre, pjesë e qenies së tyre.. Po, në të vertetë, as shumë armë malësorët nuk kishin. Pjesa më e madhe e tyre nuk kishte asnjë armë. Dihet se malësori e ka siguruar armën me shumë mundime. Shumëkush ka shitur edhe kaun e kularit, për të blerë një pushkë. Me një fjalë, si ata që i kishin, si ata që nuk i kishin armët, gjendeshin përpara një prove tepër të vështirë. Ndaj heshtja vazhdoi gjatë.

Major Musai dhe ndihmësi i tij, ekzekutori Xhemal Selimi mezi po e duronin këtë heshtje, që për ata “përkthehej” kundërshtim. Armëët! Bërtiti majori. Dorëzoni armët, se ndryshe do ta keni keq. Nuk keni nga ja mbani! Dhe menjëherë nxorri një listë nga xhepi. Fetë Sadiku ! – thirri ai me zë të larte. Ti ke tre pushkë, prandaj kërkojmë që t’i dorëzosh pa një pa dy. Feta, një nga burrat më të njohur të krahinës, i një familjeje nacionaliste, që kishte nxjerrë luftëtarë trima e prijës popullor brez pas brezi, gjatë luftërave për lirinë e pavarësisinë e Shqipërisë, u ngrit në këmbë dhe tha: Për këtë tokë dhe për këtë qiell, nuk kam asnjë armë o zotni komandant. Armët, Armët duam ne, jo fjalë e betime! – gërthiti majori dhe iu drejtua xhelatit Xhemal, që e kishte diku pranë: “Xhemal! Merre me vete këtë armik! “Xhemali, me një hap të shpejte iu drejtua Fetës, të cilin e nxorri nga grumbulli dhe e vuri përpara tytës së automatikut, për ta dërguar drejt rrëpirës. Sapo bëri 10 hapa, majori thirri dhe një herë me zë të fuqishëm, Xhemal! Pa i dhënë kurrëfar përgjigjeje, brenda disa sekondave Xhemali zbrazi një krehër automatiku mbi shpatullat e Fetës, duke e lënë të shtrirë për tokë në një pellg gjaku, që rrodhi për disa minuta. Sapo zbrazi automatikun, Xhemali e hoqi nga automatiku krehërin, i futi një tjetër, ndërsa me të boshatisurin filloi të thyentë arra, duke i shtypur mbi qytën e automatikut. Ashtu, duke u përtypur dhe duke buzqeshur, u kthye tek majori, i cili thirri emrin e vëllait të Fetës, Adem Sadiku! Ja ku e ke vëllain të vdekur. Nëse nuk do që dhe ti të vdesësh si ai, dorëzo armët! – i tha Majori. “Pasha një Zot që asht në qiell, – tha Ademi, për të gjitha armët që ka bota, atij vllau nuk ja kisha marr shpirtin! Por atij ja morët shpirtin sepse nuk kemi asnjë armë more burra”. Majorit nuk i hyri asgjë në vesh, por urdhëroi Xhemalin ta merrte dhe këtë! Xhemalin ashtu si Fetën, e mori përpara, i vuri grykën e automatikun midis shpatullave dhe e nisi drejt rrëpirës. Ndryshe nga ç’kishte vepruar me Fetën, Ademin e dërgoi deri tek rrëpira dhe e futi në tatëpjetën e saj.

blankPasi trupi i tij u zhduk nga shikimi i grupit të njerëzve të tubuar, Xhemali zbrazi një krehër automatiku në drejtim të tij. Atje, Ademin e morën ca partizanë, i lidhën duart dhe nga një rrugicë e largët, e ngjitën tek posta pa rënë në sy të njerëzve të tubuar. Për sytë dhe gjykimin e të tubuarve, edhe Ademi ishte pushkatuar. Pasi u kthye Xhemali, majori që mbante listën në dorë thirri: Ukë Çuni! Uka u ngrit në këmbë dhe deklaroi se nuk kishte asnjë armë. Dhe për këtë Majori urdhëroi Xhemalin që ta merrte. Xhemali, ashtu siç kishte vepruar me Fetën, e nxorri nga turma, e nisi përpara dhe diku pranë kufomës së Fetës, zbrazi mbi krehërin e automatikut, duke e lënë edhe këtë përmbys, në pellgun e gjakut të vet. Pas këtij, majori thirri dhe ca emra të tjerë, të cilët ngaqë nuk dorëzuan armët, Xhemali i dërgonte tek rrëpira dhe pasi zbrisnin për të mos u dukur nga turma zbrazte “mbi ta” breshëritë e automatikut të tij dhe kthehej duke ngrënë arra. Madje, dy dite më pas, pasi kishte pushkatuar Dedë Mëhillin e Brashtës, mu në sy të turmës, kishte nxjerrë arrën nga xhepi dhe e kishte thyer mbi kokën e të vrarit. Në këtë terror çnjerzor, që po përjetonin të tubuarit, shumëkush tha që e kishte armën dhe se do ta dorëzonte një orë e më parë. Madje njëri pre pjesëmarrësve, pasi ju kërkua nje pistoletë të cilën nuk e kishte, u detyrua të thoshte: “Po, e kam pistoletën dhe nesër do ua sjell në komandën partizane”. Pas mbarimit të tubimit ai kishte udhëtuar për tetë orë, ku kishte marrë pistoletën e një të afërmi që e mbante të fshehur, dhe sipas premtimit e kishte dorëzuar të nesërmen. Kur ishin pushkatuar disa, madje dy prej tyre gjendeshin të shtrirë shumë pranë tubimet, Major Musai thirri: Zef Mark Alinë nga Perajt, të cilit ju kërkuan dy armë. Pranë Zefit gjendeshin dhe katër vellezërit e tij: Ali, Martin, Marash dhe Gjon Mark Gjonpalaj. Zefi deklaroi se ai, as vëllezërit e tij nuk kishin asnjë armë. Por, komunistët nuk i besuan. I kërkuan me insistim armët dhe e kërcënuan, se përndryshe – siç thanë ata, vëllai i madh do të pushkatohej. Pas thirrjes kërcënuese, që vëllai i madh të shkëputej nga turma për të shkuar drejt cakut të ekzekutimit, Zefi që ishte i madhi, hodhi hapin për t’u nisur drejt vdekjes. Por, qysh në hapin e parë, u dëgjua thirrja befasuese e vëllait të tij, Ali Marku i cili ishte ngritur në këmbë, në mesin e atij tubimi burrash, dhe me zë të lartë e të vendosur thërriste: “Ai nuk është vëllai i madh. I madhi jam unë, prandaj më takon mua të shkoj atje ku po urdhëroni të shkojmë.” - dhe u nisën drejt cakut të vdekjes. Papritmas, u dëgjua zëri i vëllait tjetër Marash Marku, i cili tha pa ju dridhur qerpiku: “Asnjëri prej tyre nuk është i madhi. I madhi jam unë, prandaj mua më takon të pushkatohem.” Zefi vazhdonte të kundërshtonte deklarimet e vëllezërve dhe me shpejtësi po i afrohej cakut të vdekjes. Pas këtij debati midis vëlezërish e midis trimash të vërtetë, që zgjati disa minuta dhe i habiti të gjithë pjesëmarrësit, ku secili prej vëllezërve ishte i gatshëm të jepte jetën për të shpëtuar jëtën e vëllait të tij, Zef Marku, këmbëngulës arriti i pari tek “gijotina” dhe sapo hyri poshtë rrëpirës, xhelati Xhemal Selimi si zakonisht zbrazi “mbi të” krehërin e automatikut. Në të vërtetë Zefi dhe të gjithë ata që ishin “pushkatuar” tek rrëpira kishin shpëtuar dhe të nësërmën, u lanë të lirë të shkonin nëpër shtëpitë e tyre. Kështu, mbaroi operacioni i dorëzimit të armëve në Nikaj-Mërtur. Ai mbeti në kujtesën e malësorëve, për të mos u harruar kurrë, jo vetëm për terrorin e egër komunist që u ushtrua, po dhe për atë akt të pashembullt, ku u demonstrua me të gjithë madhështinë e vet burrëria, trimëria dhe dashuria vëllazërore.

blank

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here