70 vjet nga masakra e Qafë-Valmirit, askush nuk ka kërkuar falje

0
90
blank

17 Gushti i vitit 1949 ka qenë dita më e zëzë për Mirditën. Janë bërë plot 70 vite nga masakra e Qafë-Valmirit, ku u pushkutuan 10 burra dhe u varën në litar 4 të tjerë. Një ceremoni përkujtimore u organizua në pallatin e kulturës të qytetit të Rreshenit, ditën e shtunë, e mandej një meshë në katedrale. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të shoqatave për ish-të përndjekurit dhe familjarëve të martirëve dhe intelektualë të zonës. Aty nuk kishte përfaqësues të bashkisë që drejtohet nga socialisti, Ndrec Deda. E majta shihet si zgjatim i partisë komuniste dhe me gjasë prania e tyre vetëm mund të irritonte familjarët.

Duke folur për Zërin e Amerikës, Simon Mirakaj u shpreh se “jemi mbledhur për të përkujtuar me përulje këtë masakër barbare e të padrejtë që e ka zanafillën te vrasja e Bardhok Bibës. Njerëzit që u ekzekutuan nuk kishin gisht në vrasjen e Bibës, por komunistët donin të shfarosnin familjet më në zë të Mirditës, familjet fisnike dhe antikomuniste të asaj kohe”.

Ndërsa Filip Gjomarkaj tregoi se sot e kësaj dite nuk e dinë ku e kanë varrin e gjyshit. Ndërsa ai vetë me nënën dhe vëllanë kanë vuajtur në kampet e Tepelenës.

Sakaq, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Gjergj Meta udhëhoqi një meshë për martirët. “14 viktimat e terrorit komunist të Qafës së Valmirit janë fillimi i masakrës së komunizmit mbi Mirditën. Mirdita qe më e përndjekura, sepse qëndroi më shumë në këmbë kundër regjimit. Pushofshi në paqe!”, tha Ipeshkvi.

MASAKRA E QAFE-VALMIRIT, 17 GUSHT 1949

Përpara qindra mirditorëve pas një gjyqi të sajuar pa asnjë provë u varën në litar 4 mirditorë të pafajshëm dhe u pushkatuan 10 të tjerë, që s’kishin fare lidhje me vrasjen e B. Bibës.
Pas masakrës nisi terrori i qindra familjeve mirditore, u internuan gra e fëmijë drejt kampit famëkeq të Tepelenës, që funksionoi si kamp shfarosjeje.

Viktimat e kësaj masakre janë:

Të varur në litar: -Preng Dedë Gjomarkaj, (Orosh), Pjetër Dedë Vila, (Kaçinar), Dodë Marka Biba, (Tenë-Kthellë), Pjetër Paloka, (Kaçinar).

Të pushkatuar: -Nikoll Bardhok Bajraktari, (Rrëshen-Kthellë), Llesh Gjon Melyshi, (Malaj-Kthellë), Ndrec Mark Ndoj, (Kaçinar), Nikoll Llesh Bajarktari, (Orosh), Gjokë Gjin Kaçi, (Bukmirë), Ndoc Gjetë Çupi, (Pshqesh-Blinisht), Bardhok Dodë Gjini, (Prosek-Kthellë), Gjergj Keç Beleshi, (Kthellë-Epër), Preng Shkurt Nikolli, (Orosh), Frrok Gjetë Mata, (Kaçinar).

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here