Dokumentet e rralla/ Dom Shtjefën Kurti pagëzoi hebrenjtë për t'i shpëtuar nga nazistët

0
518
blank

Zbulohet një tjetër dimension i rëndësishëm i kontributit të klerit katolik në Shqipëri gjatë luftës.

Dhjetëra hebrenj u pagëzuan në katolikë për ti shpëtuar vdekjes së sigurtë nga nazistët. Kujto.al publikon dokumente eksluzive të korrik-shtatorit 1943, në prag të pushtimit nazist të Shqipërisë, ku Dom Shtjefën Kurti lajmëron Arqipeshkvinë në Durrës, se ai po pagëzon hebrenjtë në Kishën Katolike të Tiranës, ku shërbente si famulltari i saj.

Dom Shtjefën Kurti është padyshim prifti katolik nga më të njohurit në Shqipëri. Në vitet 70, emri i tij u bë i njohur në të gjithë botën, pasi media ndërkombëtare publikoi historinë e tij: Një prift katolik u pushkatua në Shqipëri sepse pagëzoi fshehtas një të porsalindur. Kjo ngjarje tronditëse zbuloi në perëndim krimet makabre të diktaturës komuniste në Shqipëri, për të cilat Vatikani nuk rreshti së denoncuari.

Sot në Kujto.al publikohen disa dokumente të rralla, që tregojnë një dimension jashtëzakonisht human të Dom Shtjefën Kurtit. Me iniciativën e tij, ai pagëzoi familje të tëra hebrenjsh gjatë luftës, që ata t'i shpëtonit përndjekjes naziste. Konkretisht, Dom Shtjefën i shkruante Arqipeshvisë në Durrës, ku e njoftonte për pagëzimet që bënte. “Venko Verah, çifut prej Shkupit, është përgatit me mësimin e fesë sonë më së miri prej At Pjetër Meshkallës edhe jep shenja të mira konvinkcioni. Kjo zyrë famullitare kërkon lejen me e pagëzue”, shkruan Dom Shtjefën Kurti, në 23 korrik 1943.

Pagëzimi i hebrenjve mundësonte që formalisht ata të ndryshonin emrin dhe të pajiseshin në kohë rekord me dokumente shqiptare, ç’ka e bënte të pamundur identifikimin e tyre si hebrenj. Falë bashkëpunimit të klerit shqiptar të të gjitha feve në Shqipëri dhe vendosmërisë së Regjencës së Mehdi Frashërit, Shqipëria refuzoi t'u dorëzonte listat e hebrenjve nazistëve. Në fund të luftës, mbi 2 mijë hebrenj i shpëtuan vdekjes, duke i dhënë Shqipërisë një vlerë të jashtëzakonshme të madhe humanizmi, që nuk u manifestua në asnjë vend tjetër.

Me ardhjen e diktaturës komuniste, Dom Shtjefën Kurti do kalonte një kalvar të gjatë persekucioni deri në vrasjen e tij.  Në moshën 50-vjeçare detyrohet të provojë qelitë e ftohta të burgut. Fillimisht, për të shfryrë urrejtjen ndaj tij, pushtetarët komunistë e dënuan me vdekje, por në sallën e gjyqit ai deklaroi: “Nuk i kam shërbyer askujt, vetëm Zotit dhe idealit tim, që kur kam veshur veladonin”. Dënimi iu kthye në 25 vjet burg. U transferua në burgun e Burrelit. Hetuesit mizorë i bënin tortura nga më të ndryshmet, vetëm që të përkulej, por atij i jepte fuqi Zoti, prandaj morali i tij në çdo moment ishte i lartë. Pas 17 viteve privim lirie, në nëntor të vitit 1963, largohet nga qelitë e burgut, për t’u ndjerë përkohësisht i lirë. Fillimisht, shkoi në famullinë e Tiranës, ku ndenji pak kohë me Don Mark Dushin, pastaj u kthye përsëri në kishën e Gurëzit. Goditjen e madhe në shpirt, Dom Shtejfni e mori në vitin 1967, kur feja u shpall antiligjore dhe objektet e kultit u mbyllën. Për një klerik, që gjithë jetën ia kishte kushtuar besimtarëve, krijohej mundësia për të shërbyer ende. Por, sigurimi i shtetit ishte afër, ai e ndiqte dhe e survejonte ne çdo lëvizje dhe pikërisht sepse pagëzoi fshehtas një fëmijë, e arrestojnë për herë të dytë në moshën 73 vjeçare.

Në qershor të vitit 1970, Dom Shtjefën Kurti detyrohet t’u kthehet qelive të burgut. Arrestohet në fshatin Gurëz të Kurbinit, me akuzën qesharake: “Ka kryer shërbime fetare dhe ka pagëzuar një fëmijë”. Detyrohet t’u nënshtrohet tortura çnjerëzore, kësaj radhe në moshë të thyer. Madje u ngrit edhe hipoteza e ekzistencën së një grupi armiqësor që po “sabotonte” ekonominë bujqësore, duke i shërbyer kështu Beogradit. Përveç Shtjefën Kurtit, në grupin “armiqësor” bënin pjesë edhe mjaft të tjerë, bij nga më të mirët, më të urtit e Gurëzit. Pasi denigrohen plotësisht, nxirren në gjyq, me dt. 30 korrik 1971, dhe trupi gjykues, duke improvizuar dëshmitarë të rremë arriti të japë dënime absurde dhe anikushtetuese. Njeriu i madh, Dom Shtjefën Kurti u dënua me vdekje-pushkatim, Bardhok Marku, 18 vjet burg, Fran Ndoci, 14 vjet burg për sabotim në ekonomi, Pjetër Biba 14 vjet burg, Agustin Preçi – mësues, 13 vjet burg, për propagandë tek nxënësit kundër pushtetit popullor, Zef Nishi 12 vjet burg dhe Ndue Leti 10 vjet burg.

Kleriku i njohur u pushkatua në moshën 73-vjeçare me akuzën se kishte pagëzuar një fëmijë të sapoardhur në jetë. Në këtë mënyrë shkoi para togës së pushkatimit Dom Shtjefni, i bindur se vdekja e tij ia vlejti, pikërisht për fëmijën që kishte pagëzuar.

Vetëm pak ditë më parë, Kujto.al publikoi letrën e ndjesës të ish prokurorit Hajredin Fuga dhe gjyqtarit Jani Vasili, përgjegjës për vrasjen e Dom Shtjefën Kurtit. Këto letra pendese iu dorëzuan nipit të Dom Shtjefnit, Nikolinit, i cili premtoi se do i bënte publike pas vdekjes së tyre.

 

blank blank

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here