Në vitin 1951, doli një amnisti për fëmijët e familjeve të internuara, nën 14 vjeç. Këta u dërguan në qytetet e tyre, ku shpesh nuk i priste askush. Si u kujdes shteti për 4 fëmijët e familjes Çapani? Kujto.al sjell dëshminë e njërit prej tyre, Musait, i cili ka folur për “Zërat e kujtesës” V, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Të shohësh detin për herë të parë, në një moshë kur ke nisur të mbash mend, mund të të ngulitet përgjithmonë në kujtesë. Kështu ka ndodhur dhe me Musa Çapanin. Ishte 6 vjeç. Kishte udhëtuar drejt Durrësit bashkë me gjyshet, nënën dhe katër vëllezërit dhe motrat, me një makinë të Degës së Brendshme. Një ditë më parë, policët i kishin marrë, me një grusht plaçkash, nga shtëpia në Leskovik; kishin fjetur të pangrënë në Degën e Brendshme të Korçës dhe në mëngjes, ishin nisur për në Durrës me një makinë të Degës, që i ndaloi pranë portit, ku Musait të vogël i vinte në vesh një zhurmë e panjohur.
“Dëgjoheshin dallgët e detit. Dhe kur e pashë, u habita. Çfarë është kjo hapësirë e paanë?! Unë isha mësuar me kodra, me male, me gurë, me dëborë. Tërë kjo hapësirë e detit më bëri shumë përshtypje. Sikur u çlirova, sikur u lumturova”, tregon ai në intervistën e botuar në “Zërat e kujtesës” V. E shihte gjithçka me sytë e fëmijës, por ajo që do shihte më pas nuk ishte e përshtatshme për sytë e askujt, aq më pak të një fëmije.
Musai ishte i pesti, ndër gjashtë fëmijët e Hasan Çapanit, fillimisht i burgosur si mbështetës i "Ballit Kombëtar" dhe më pas, i arratisur jashtë Shqipërisë, gjatë arrestimit të dytë. Ishte rritur në një shtëpi të madhe, në gjendje shumë të mirë ekonomike, por të gjitha kishin marrë fund me arratisjen e të atit. Nga porti i Durrësit, një zetor rus i çoi në Kamëz.
“Kamza ishte një fermë blegtorale e ndërtuar që në kohë të Italisë. Ne na shkarkojnë pranë një ndërtese njëkatëshe që shërbente si hangar për makineritë bujqësore, ndërsa në pjesën tjetër rrinin kuajt. Kur vajtëm, gjetëm edhe 3 familje të tjera aty. U futëm dhe ne brenda. Ishte natë dhe na zuri gjumi. Vetëm mbaj mend që të nesërmen, vijnë dhe 2-3 makina të tjera. Shkarkojnë edhe 2-3 familje të tjera”, rrëfen ai. Shkuan gjithsej nja dymbëdhjetë, trembëdhjetë familje. Ishte një godinë në mes të fushës, 10 minuta në këmbë larg vendit ku ndodhet sot Universiteti Bujqësor i Kamzës. Nuk ishte e rrethuar dhe natën askush nuk bënte rojë. Një masë e logjikshme në atë kohë absurditetesh. Nuk ishte e nevojshme sepse ata që ishin aty nuk kishin ku të shkonin. Ishin gra, fëmijë dhe të moshuar. Asnjë djalë mbi 14 vjeç. Aty Musai qëndroi një vit e gjysmë. Aty nisi dhe shkollën. Gratë i bënin ushqimet me atë pak gjë që gjenin rrotull. Njëlloj i bënin fëmijët lodrat. Më pas, u zhvendosën në një kamp që u ndërtua diku afër, të pajisur tashmë edhe me rrethimin me gjemba. Pa gjatë atyre viteve, të varroseshin një djalë mbi 14 vjeç dhe një bashkëmoshatar të tij. Këto ishin sigurisht çastet më traumatike nga ai kamp. Kishte lënë pas detin e Durrësit dhe kishte gjetur një det vuajtjesh.
Në shkurt-mars 1951, i zhvendosin në Kodër-Kamëz, fillimisht në vilën e boshatisur të një ish-beu dhe më pas në Kampin e Sipërm, siç e quanin të internuarit, që sa vinin e shtoheshin. Qëndruan disa muaj aty. “Dhe më në fund, vjen dhjetori i tmerrshëm i vitit 1951. Ishte natë. Binte shi. Ishte ora nëntë e një çerek. Ne sapo na kishte zënë gjumi. Kur dëgjojmë zhurmë, borija makinash, katër-pesë makina me drita të gjata ndezur, që futeshin nëpër të çarat e dërrasave. Policët duke bërtitur: “Dilni jashtë! Dilni jashtë!” Na nxorën jashtë të gjithëve. Doli një oficer Dege me një listë në dorë dhe filloi të lexojë emrat. Tha: “Ata që do të dëgjojnë emrin do vijnë këtej, të tjerët këtu dhe të tjerët aty…!” Lexo, lexo e lexo dhe kur e pamë veten të ndarë në tri grupe. Në një grup ishin dy gjyshet e mia, në grupin e mesit ne, katër fëmijët dhe në grupin e tretë, nëna me vëllanë e vogël. Ishte kjo ndarje e dhimbshme: pleqtë mbi 60 vjeç që nuk ishin në gjendje për punë, u ndanë në një grup, fëmijët shtatë deri në katërmbëdhjetë vjeç në një grup dhe në grupin tjetër, ata që ishin në gjendje pune me ndonjë fëmijë gjiri, një a dy vjeç. Dhjetori i vitit 1951 e gjeti familjen tonë të ndarë në tri pjesë. Makinat ishin jashtë. Po prisnin. Në dy makina, policët i morën pleqtë dhe i hodhën në karroceri. Në makinat e mesit, hipëm ne, fëmijët dhe fuqinë punëtore e lanë aty. Nëna me vëllanë e vogël ngelën aty. Unë me vëllanë dhe dy motrat e tjera, në një makinë tjetër, së bashku me moshatarët. Edhe gjyshet në një makinë tjetër. Makinat me pleqtë dhe plakat u nisën për në Tepelenë. Ne na morën me dy-tri makina dhe na nisën për në zonën e Korçës dhe të Elbasanit. Nuk mbaj mend shumë, ku u shkarkuam, ku mbërritëm, por di që kur po kalonim në buzë të liqenit të Pogradecit bënte ftohtë. Ne ishim të veshur keq, s’kishim rroba. Motra më e madhe, Donika, që ishte katërmbëdhjetë vjeç, mundohej të na mbulonte ne tre të tjerëve. Po me çfarë të na mbulonte? Dhe unë dëgjoja vetëm zhurmën e liqenit. Në orën dymbëdhjetë të natës na zbresin mu te Agjencia e Korçës. Mes dimrit. Dëbora ishte e shkelur. Mendo si bëhet dëbora e shkelur në mes të dimrit! Ne të zbathur. Me ndonjë këpucë të grisur, ose ndonjë nallane. Mbaj mend se aty ishim ne që do shkonim në Leskovik, ishin nga Kolonja Mujollarët (katër fëmijë ishin ata), nga zona e Devollit ishin Kollçinakët, Sinët, pra bëheshim nja njëzet fëmijë. Na zbritën aty dhe na lanë. Dy policët që na shoqëronin shkuan në Komitet Ekzekutiv a nga Dega për t’u interesuar se çfarë do të bëhej me ne. Ngelëm në një strehë të strukur pranë njëri-tjetrit. E gdhimë atë natë ashtu. Nuk vumë gjumë në sy. Se ku do të flinim, në dëborë?”.
Një hamall që po kalonte aty pranë të nesërmen, kur i pa, u ndezi një zjarr me tallash dhe u solli pak bukë misri me qepë që e hëngrën pas rreth 36 orësh me barkun bosh. Më pas, një makinë që transportonte medikamente ndaloi aty. Shoferi ishte një i njohur i babait të Musait. Ai mori fëmijët që ishin nga Kolonja dhe nga Leskoviku për t’i çuar në shtëpitë e tyre. Musai, vëllai dhe motrat e tij, zbritën në Leskovik dhe shkuan në shtëpinë që e gjetën të shkatërruar. “Në katër-pesë dhoma, rrinin oficerët e Sigurimit. Kishin marrë pajisjet e shtëpisë sonë dhe ishin rregulluar mirë. Kishin ngelur nja dy-tri dhoma të lira. Edhe ato i kishin shkatërruar vandalët. U futëm nëpër ato dhoma. Aty ishte një familje oficeri kufiri. E zonja na dha diçka për të ngrënë ditën e parë, ditën e dytë…Po pastaj? Dikush i thotë vëllait dhe motrës së madhe, që “duhet të paraqiteni në lokalitet ose në Degë”. Ikën këta. Vajtën ditën e parë dhe, kur u kthyen, thanë se do të bëhej diçka.” Kaluan disa ditë kështu. Fëmijët nuk mund të bënin asgjë veccse të kërkonin nëpër shtëpi diccka që do ua bënte disi më të lehtë jetesën.
“Motra e madhe, Donika dhe unë u ngjitëm sipër dhe gjetëm disa libra të shpëtuar si “Kujtimet e ungjit tonë”, “Visaret e Kombit” dhe disa libra të verdhë të ngelur si “Bija e mallkuar”, etj. Na mbulonte ime motër me një batanije dhe na lexonte nga “Visaret e Kombit” dhe ne e dëgjonim me barkun bosh. Një ditë ikin vëllai me motrën dhe prit e prit se do të kthehen në darkë, por nuk erdhën. Motra më e madhe ishte dymbëdhjetë vjeç, unë njëmbëdhjetë. E gdhimë atë natë vetëm. U torturuam. Vetëm në tërë atë ambient, se ishte shtëpi e madhe. Të nesërmen erdhën të qeshur. Dhe pse ishin të gëzuar? Sepse pushteti vendor, u kishte dhënë një triskë për t’u furnizuar me nga katër kile misër për frymë. Dhe ishte një lumturi e madhe se nuk do të vdisnim për bukë. Vajtëm dhe e morëm atë misër te depot, mirëpo tashti ai misër duhej bluar. Se ku e bluan ata dy më të mëdhenjtë dhe e sollën. Ishte një qese, jo e madhe. Se si do ta shtynim muajin me atë miell nuk e dinim. Megjithatë po i gëzoheshim fort.” Duket si një histori e çuditshme përrallash, nga ato që fëmijët duhet t’i dëgjojnë me prindërit afër dhe të bindur që gjithçka do përfundojë mirë, por për Musain, vëllezërit dhe motrat e tij, fëmijëria do të përfundonte para vuajtjeve.
“Dimri po rrokullisej dhe po vinte pranvera. Çelën lulet, mbinë barishtet, njomishtet. Ime motër, e madhja, çohej mëngjes për mëngjes, shkonte ledh më ledh dhe mblidhte barishte të ngrënshme. I grinte në një tepsi, hidhte pak, vetëm sa e kripte me atë miellin dhe i ziente. Mbaj mend sa na lumturoi një mik i familjes kur erdhi natën dhe na solli një gjysmë kilogram kripë, se ne deri atëherë, i hanim pa kripë. Gjella filloi të bëhej një çikë si më e shijshme. Vazhduam kështu deri në mesin e vitit 1952.”
Ndërkohë e ëma me vëllanë e vogël kishin shkuar në Papër, në Cërrik. Në vitin 1953, gjyshen nga babai e lirojnë nga burgu i Tepelenës, me ndërhyrjen e kryegjyshit Abaz Dede, që në atë kohë ishte deputet duke qenë që kjo gjyshe ishte zonja e pritjes së mejdanit, në teqenë e Leskovikut. “Gjyshen e morën në teqe. Mirëpo vajtja e saj në teqe, ishte ndihmë për ne. Ne kishim vetëm atë miell që na jepej me triskë. Ne shkonim në teqe dhe gjyshja na ndihmonte me ndonjë gjë, ndonjë bukë a ndonjë gjë tjetër. Gjyshja jetoi ndonjë vit në teqe dhe vdiq se ishte shumë e lodhur. Dhe u varros atje, po në teqe. Erdhi vera e vitit 1953 dhe u krijua kampi i Lushnjes. Nënën me vëllanë e vogël, i transferuan nga Papëri në kampin e Lushnjës.” Në këtë kohë vjen urdhri për ta bashkuar familjen. “Motra dhe vëllai i madh kanë pasur një vit diferencë nga njëri-tjetri. Motra e madhe, Donika, ishte katërmbëdhjetë vjeç; vëllai Skënderi, trembëdhjetë. Dymbëdhjetë vjeç ishte motra tjetër, Fatimja. Pastaj vija unë, njëmbëdhjetë vjeç. Pastaj vinte Bashkimi, më i vogli, që është i 45-sës. Ai atë kohë rrinte me nënën. Erdhën te shtëpia dhe na thirrën. Na thanë “Përgatituni, se do t’ju çojmë përsëri te nëna juaj”. Kështu që na dërguan në Savër. Jetesa në Savër, ishte nëpër kapanone, nëpër disa depo drithi, në disa shtëpi prej guri, ku të qëllonte...” Aty do të vinte edhe gjyshja nga mamaja dhe familja u bashkua sërish. Gjatë kësaj kohe babai i tyre ishte arratisur nga Greqia, në Turqi dhe më pas shkoi në Shtetet e Bashkuara. Ai filloi t’i dërgonte familjes para , të cilat, si një kontradiktë fatlume e kësaj kohe, shteti ia dorëzonte të plota familjes. Nuk vuanin më për bukë, por jetesa në kamp vazhdonte të ishte e vështirë. U zhvendosën në Grabian dhe jetuan disa vite aty. Aty Musai humbi gjyshen, mamanë dhe vëllanë e madh, i cili u sëmur dhe nuk mori kujdesin e duhur shëndetësor.
Motrën e madhe, Afitatin, ndërkohë e dënuan me 10 vjet burg. Ishte dhe Musai në Tiranë në kohën kur atë e arrestuan. Ndryshuan kampet, banesat, por jetuan gjithë kohën të internuar. Në internim u martuan dhe u bënë prindër. Të motrat do të përndiqeshin edhe pas martese, duke qenë që dhe bashkëshortët e tyre i përkisnin grupit të shenjëstruar të ish-të burgosurve ose të të internuarëve. Musain nuk e arrestuan, por jetoi gjithmonë me atë frikë deri sa ra regjimi komunist. Kaloi vite të tëra i rrethuar nga ajo atmosferë mbytëse. Nuk ishte më as fëmijë për ta parë botën ndryshe.
Nga A.Çano
Citimet i përkasin intervistës së Musa Çapanit, të publikuar në “Zërat e Kujtesës” V, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, me autorë Agron Tufën dhe Luljeta Lleshanakun.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.