Kujtimet e Bajram Herenit: Çfarë më tha Hafiz Ali Kraja në burg

0
595
blank

Bajram Hereni nga Kukësi, ishte djalë i ri kur u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burg për "agjitacion e propagandë". Ai u burgos vetëm një muaj pas martesës dhe vetëm një vit pasi vëllai i kishte vdekur në burgun e Shkodrës. Në 11 vitet e tij të burgut, u bë dëshmitar i kampeve më çnjerëzore komuniste nga Zadrima në Bubullimë të Lushnjes e në kampet e punës së ndërtimit të pallateve Shallvare e uzinës së Laçit.

Historinë e Bajramit dhe familjes së tij e tregon eskluzivisht për Kujto.al djali i tij, Shpëtim Hereni, i rritur që fëmijë me historitë e babait, që i tregonte pranë sofrës netëve të vona kur miqtë e burgut i mblidheshin në shtëpinë e tij, në fshatin Bicaj.

Cila është historia e familjes tuaj?

Historinë e familjes e kam dëgjuar prej babait tim sa ishte gjallë. Ai është ndarë nga jeta në vitin 2007, por para se të vdiste, na tregoi me hollësi çdo ditë të vuajtjeve të tij në burgjet e diktaturës komuniste. Kur ishte djalosh vetëm 17 vjeç, ai besoi tek ideali i luftës kundër pushtuesve dhe iu bashkua partizanëve në luftë, por pas luftës nisën peripecitë, fillimisht me xhaxhain e më pas për babain tim. Xhaxhai im i madh, Rexhepi, mbaroi shkollën në Kukës, më pas shkon në Itali dhe mbaron shkollën si karabinier. Kthehet në Shqipëri dhe fillon punë postkomdandat, në Kavajë. Aty rri një vit, pastaj nga Kavaja, transferohet në Tetovë, nga Tetova shkon në Prishtinë dhe në fund të '44, kthehet në Kukës. Tërhiqet nga jeta politike, ndërkohë babai im del partizan me brigadën 24. Në lidhje me këtë, xhaxhai kishte kundërshti me babain. Në moshën 17 vjeçare, babai im del partizan edhe kur u çlirua Shqipëria, e fusin në Shkollën e Bashkuar. Në vitin ‘48 xhaxhai vjen në Tiranë të takojë babain. Babai im e kishte parë që gjendja po shtrëngohej edhe i thotë: Ik nga Shqipëria, arratisu, merr dhe familjen edhe ik. Por ai arrestohet para se të bëjë ndonjë plan arratisjeje. Në shtator të ’49-ës, e arrestojnë dhe babain e përjashtojnë nga shkolla. Xhaxhai u arrestua me akuzën “agjitacion e propagandë, bashkëpunim me diversantë dhe tentativë për krijimin e një partie indipendente”. Kjo ishte një sajesë, e vetmja e vërtetë këtu ishte se xhaxhai kishte pritur në shtëpi një mikun e tij që e kishte si vëlla ose byrazer siç i themi ne, i cili ishte kundërshtar i regjimit dhe ishte arratisur në Prizren.
Në vitin 1953, xhaxhai vdes në burgun e Shkodrës, pasi ishte i sëmurë nga turbekulozi. Askush nuk e lajmëroi familjen për vdekjen e tij. Edhe pse babai u lut që ta linin të vdiste në shtëpi, ata nuk e lejuan. Kur babai bashkë me nënën shkuan për të parë si ishte në gusht, me ushqime me vete, ata i thanë: Ai ka vdekur që në prill. Edhe sot e kësaj dite nuk i dihet varri.

Çfarë ndodhi me babain tuaj, u godit nga regjimi direkt pas vdekjes së vëllait?

Babai im ishte bërë komunist në luftë dhe e emërojnë drejtor të biblotekës në Kukës, në blankfund të vitit 1950. Në fund të 1954, babai martohet me nënën time dhe në 22 shkurt të 1955, e arrestojnë. Në Kukës, në atë kohë, shef i degës së Brendshme ishte Lilo Zeneli, një kriminel. Shef hetuesie ishte Abedin Tajari, nga Vlora dhe sekretari parë i partisë, në Kukës, ishte Todi   Lubonja. Atë ditë ishte e enjte. Vijnë nga Kuksi në shtëpi, por kur vjen në shtëpi, i kishin sjellë një telegram: Urgjentisht mbledhje në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit. Ky telegram nuk vinte nga ministria e Arsimit, por nga ministra e Brendshme, sepse donin ta arrestonin jashtë Kuksit, se dyshonin mos ka grup dhe po ikën me këta. Kur shkon në Shkodër, sepse nuk kishte autobus direkt për në Tiranë, sa zbret tek Kafja e Madhe, sheh Nazmi Krajën dhe Tahir Vukën, me të cilët u përshëndet dhe me shumë dinakëri i thonë:
-Për ku je nis o Bajram?
-Për Tiranë, – u them – se kam një mbledhje në Ministri të Arsimit.
-Ouuu… po edhe ne për në Tiranë jemi. Po deshe, hajde me ne.
-A keni vend? – i pyet babai, pa të keq.
-Po more, – i thonë, – hajde hyp në Gazin e Degës!
Nazmi Kraja në vend të parë, kurse Tahir Vuka ngjitur me babain.
Kur afrojnë te Ura e Bunës, makina ndalon dhe Nazmi Kraja thotë fjalinë e famshme të asaj kohe: “Në emër të popullit, je i arrestuar!” Në moment, Tahir Vuka i vë hekurat në duar!
“Kur kemi ardh në Kukës ishte natë, tregon babai. Ata i kanë fikë dritat e makinës derisa hymë në Degën e Brendshme. Pas një ore, vjen Lilo Zeneli, Abedin Tajare dhe Todi  Lubonja”.
-Lilo i thotë: Ti je kriminel.
-Pse jam kriminel? -i thotë babai.
-Një muaj martesë dhe shiko ku përfundove.
-Ju jeni kriminelë, – i thotë babai – se ta dija se do më arrestonit, nuk isha martuar.
Ndërsa Todi  Lubonja i kërkoi teserën e partisë dhe i nuk i foli fare.

Çfarë torturash kanë përdorur ndaj tij në burg?

Për torturat në burg babai im ndjesë pastë, nuk tregonte shumë, kur takohej me shokët e tij aty mund të shprehej. Prej shokëve të tij i kam marrë vesh torturat me vezë të zjera poshtë sqetullave dhe atë që ai e quante torturën më të tmerrshme me pikën e ujit. E merrnin dhe e lidhnin nga pas edhe i qethnin kokën zero. Mbushnin një kovë me ujë, e shponin kovën sa të pikonte edhe ato pikat e ujit i binin sipër kokës vazhdimisht në të njëjtin vend për orë të tëra, 6 ose 8 orë. Imagjinoni dot çfarë torture. Ishte torturë psikologjike. Babai im ka bërë gjashtë muaj hetuesi. Hetues ka patur Isuf Kullollin. Pas gjashtë muajsh hetuesi, dënohet nga gjykata Ushtarake e Shkodrës, kryetar gjyqi ishte Shuait Shazi. E dënojnë 20 vjet burg. E dënojnë në kampet e punës, si fillim në Tërbuf, në Zadrimë, në Laç, këtu tek Sanatoriumi në Tiranë, pallatet Shallvare, në Bubullimë, Lushnje dhe në Rubik tek uzina e bakrit. Pasi e dënuan babain me 20 vjet, ai bën kërkesën për apel për zbutje dënimi, por vjen vendimi nga Gjykata e Lartë ku thuhej: “I tërheqim vëmendje Gjykatës së Shkodrës se janë treguar të butë në rastin në fjalë, sepse ky person paraqet rrezikshmëri shumë të lartë dhe dënimi duhej të ishte më i lartë.”

Cilat janë kujtimet e tij nga kampet e punës? Si i trajtonin të burgosurit politikë?

Në fundin e vitit ‘55 fillimi i ’56-ës, ai dërgohet në kampin për tharjen e Zadrimës. Binte borë dhe shi bashkë, tregonte. Ndërkohë gjyshja vdes dhe në shtëpi ngelet mamaja ime vetëm me dy xhaxhallarët e mij binjakë të mitur dhe vajzën 5-vjeçare të xhaxhait, pasi gruaja e tij pas vdekjes ishte larguar tek prindërit e saj. Nëna ime ishte 17 vjeçe, kurse blankxhaxhallarët ishin 11 vjeç. Ai ishte momenti më i keq për të, më thoshte babai. Erdhën e pyetën çfarë të bëjmë me familjen; ta çojmë nusen tek babai i saj dhe fëmijët tek të afërmit? Ai s’dinte çfarë përgjigje të kthente. Bëni ç'të doni, u tha. Por nëna ime qëndroi në shtëpi dhe rriti e vetme dy xhaxhallarët e mi dhe mbesën e burrit të saj.
Në kampin e Zadrimës, ka ndjenjur një vit dhe tregon se kushtet në të cilat punonin, ishin ekstreme. Në temperatura shumë të ftohta, ata nuk nxirrnin dot lopatën nga balta. Ka parë me sytë e tij si policët e mbytën të gjallë një djalë të ri nga Kaçinari i Mirditës, vetëm pse nuk realizoi normën e punës. E mbytën dhe e lanë trupin e tij aty në kanal.
Pas dimrit të tmerrshëm në Zadrimë e trasferuan në Bubullimë, në Lushnje. “Atë ditë që na kanë trasferuar në Bubullinë na kanë lidhur duart me tela dhe për 5 minuta, na u nxinë duart nga ftohti. Na vunë në një makinë stivë mbi njëri tjetrin, të rinjtë poshtë, pleqtë lart”- tregonte ai.

Si e ka përshkruar kampin e Bubullimës babai juaj?

Më tregonte se vuanin urie dhe më tregonte se në të gjithë kampin, dy të burgosur politik rrinin gjithmonë veçmas të tjerëve. Ata ishin hoxha Hafiz Ali Kraja dhe Patër Anton Meshkalla.
“Por një ditë, tregonte babai, kur isha mërzit në shpirt vjen Hafiz Ali Kraja edhe më pyet çfarë ke? Të ka ndodhur diçka nga shtëpia?
- Çfarë të ndodhë më tepër, shiko ku përfunduam.
Më ngriti në këmbë dhe më tha –“Ne jemi më mirë se këta që po na ruajnë, sepse ne kemiblank trupin e burgosur, por jo shpirtin, shpirtin e kemi të lirë. Ata kanë shpirtin e burgosur edhe trupin e lirë. Një ditë, trupi jonë do të lirohet, kurse shpirti i atyre nuk do të lirohet asnjëherë”.
Por në Bubullimë të Lushnjes ndodhi një ngjarje shumë e çuditshme, që kujt ia kam treguar, mbase nuk e beson. Por përveç babait tim, edhe shokët e tij të burgut e tregojnë njësoj. Lejlekët dhe pelikanët shkonin gjuanin peshq, ngjala e bretkosa në Luginën e Karavastasë dhe vinin i zbraznin mbi kampin e të burgosurve politik që ishte në Bubullimë. Për të burgosurit, ky ushqim ishte shpëtim i jetës, pasi uria ishte e përhershme. “Kjo është të shikosh zotin në tokë”, thoshte babai.

Në cilët kampe pune të tjerë ka qenë Bajrami?

Pas Bubullimës, e trasferojnë tek pallatet Shallvare, në kampin e të burgosurve. Më pas, në Rubik. ”Hera e parë dhe e fundit që e humba shpresën se do të dal nga burgu”- tha babai, ishte në Rubik. Një djalë nga Kurbneshi, vetëm 28 vjeç, zihet me rojen e brendshme. E lidh roja nga duart me tel dhe kur e lirojnë, atij i ngeli dora e krrusur, si duket i kanë prekur një nerv. Por nga torturat, kishte pësuar dhe një krizë nervore, ishte si i çmendur dhe thoshte si blankdo i vete nanës në shtëpi me këtë dorë kështu. Ai kishte edhe gjashtë muaj edhe do lirohej. Një ditë, me atë çmendurinë e tij, turret për tek telat edhe ushtari që ishte në komandë, e vret me automatik pa paralajmërim. E vranë dhe e varrosën jashtë kampit. Pas dy javësh, i vjen e ëma në takim. Nuk dinte gjë që ia kishin vrarë të birin. Del polici dhe i thotë: Ta kemi vrarë atë qenin tënd. “Vajtimi i asaj nëne- tregonte babai, kur e kam dëgjuar vajtimin e asaj nëne, kam thënë merrma shpirtin sot o Zot. Gjithë kampi dëgjonte vajtimin e saj”.

Kur doli nga burgu?
Babai doli nga burgu në 8 maj të 1965. Ishin shkurtuar vitet e dënimit për shkak të normave që kishte realizuar me punën e tij në kampe. Çdo normë më tepër i ulte një ditë burg dhe një herë, ai tregon se bashkë me dy shokë, kishin lëvizur nga vendi 66 metër kub dhe vetëm për 8 orë.
Kur del babai nga burgu thoshte: “E kisha harruar çfarë do të thoshte të ishe një njeri i lirë”./en.kujto.al

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here