Plani i arratisjes nga Qafë-Bari/ “Sokol Sokoli e Sokol Progri do na kalojnë në Jugosllavi”

0
350
blank

Një nga dokumentet e dosjes së objektit të rëndësisë së veçantë “Reparti i riedukimit 311 Qafë-Bari Pukë”, ku jepen detaje për planin e arratisjes së personazheve që drejtuan revoltën e Qafë-Barit, më 22 maj 1984…

Disa muaj para se të ndodhte revolta e Qafë-Barit e 22 majit 1984, pothuajse të gjithë personazhet e përfshirë në atë revoltë, kishin qenë nën vëzhgimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Punëtorët operativ dhe bashkëpunëtorët e tyre në këtë kamp-burg, kishin shumë muaj që përgjonin çdo lëvizje të tyre dhe kishin informacione se ata ishin një grup i madh që po kërkonin rrugë për t’u arratisur.

Në dosjen e objektit të rëndësisë së veçantë  “Reparti i riedukimit 311, Qafë Bari Pukë”, janë përfshirë një varg raportesh të punëtorëve operativ që vëzhgonin e përgjonin çdo lëvizje të të burgosurve që po flisnin mes tyre, për një plan arratisjeje.

Njëri prej dokumenteve të dosjes, zbulon pak nga këto përgjime.

Ja çfarë shkruhet në këtë deklaratë të një të burgosuri, emri i të cilit është fshirë nga Autoriteti i Dosjeve, para vënies në shërbim të dokumenteve:

SEKRET

Pukë, më 26.1.1984

Deklaratë

Unë i dënuari…(emri i fshirë) vuaj dënimin në repartin 311 Qaf Bari dhe nën përgjegjësinë time penale deklaroj, si më poshtë:

Në këtë repart kam njohur e kam punuar me të dënuarin Agim Karameta, ku ndërmjet bisedave të tjera, më ka thënë rreth datës 19.1.1984, se unë, së bashku me të dënuarin  Vllasi Koçi, Sokol Sokoli, Sokol Progri, kemi biseduar për t'u arratisur nga kampi, për në Jugosllavi. Këto biseda i kam bërë para muajit shtator 1983. Agimi më tha se për t'u arratisur unë së bashku me Vllasi Koçin, kemi punuar tek 796 disa ditë me radhë, mirëpo, aty ku punonim ne, më vonë u bllokua me mur. Mbasi ne të dy (unë dhe Vllasi) të punonim për hapjen e rrugëdaljes në galeri, Sokol Sokoli dhe Sokol Progri do të na nxirrnin në Jugosllavi, mbasi ata e dinin rrugën. Agimi më tregoi se më vonë Vllasi Koçi kishte biseduar me Vasjar Tabakun për t'u arratisur, mirëpo kur Vasjari e mori vesh se për arratisjen e dinin edhe Sokol Sokoli dhe Sokol Progri, Vasjari u prish me Vllasin, mbasi ai nuk i kishte treguar drejtë.

Sa deklarova më sipër janë të vërteta dhe i firmos me firmën time.

Deklaruesi … (emri i fshirë)

Vërtetohet njësia me origjinalin

Punëtori Operativ

Miti Kurici

(firma)

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.