ARANIT ÇELA: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve dhe jo para kampit.
HAXHI LLESHI: Për këtë vendosni ju, si t’ju vijë mirë.
RITA MARKO: Dhe unë jam dakord që këta katër të dënohen me vdekje (pushkatim).
Në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor datë 24 maj 1973 u diskutua për vendimin që dha gjyqi mbi të akuzuarit e Revoltës së Spaçit ( Revolta e burgut të Spaçit ). Gjyqi kishte marrë vendim për t’i dënuar me vdekje katër të akuzuarit kryesor të revoltës. Në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ishte ftuar kryetari i gjykatës së Lartë Aranit Çela i cili kishte kërkuar që të miratohej vendimi për pushkatimin e katër të dënuarve: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj. Aranit Çela kërkon që të dënuarit të pushkatohen , por jo në Spaç dhe para të dënuarve…
Procesverbali i mbledhjes
Procesverbal, mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datë 24 maj 1973. Marrin pjesë në mbledhje shokët: Haxhi Lleshi(kryetar), Rita Marko, Myslym Peza dhe Shefqet Peçi (nënkryetar), Bilbil Klosi (sekretar), Pilo Peristeri, Karaman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu (anëtar).
HAXHI LLESHI: Këtë mbledhje e bëjmë për të parë disa të dënuar me vdekje. Kemi thirrur kryetarin e Gjykatës së Lartë, shokun Aranit Çela, për të na referuar.
ARANIT ÇELA: Në Kampin 309 në Spaç, ditët e fundit u bë një revoltë nga të burgosurit që përfshiu rreth 500-600 veta. Në fillim u dukën se shfaqën kërkesat e tyre si gjysmëpolitike: kërkonin që të largoheshin nga miniera, kërkonin të faleshin nga dënimet, kishin disa ankime të tjera rreth trajtimit të tyre, etj. Mbasi plasi revolta, kërkesat u rritën dhe doli hapur se ishte një revoltë politike, kundër pushtetit popullor. Tani të gjithë elementët që janë në këtë kamp, janë nga ata politikë, janë njerëz që kanë kryer krime kundër shtetit dhe pushtetit popullor. Shkaku i revoltës ishte me parrullën që të shpëtonin shokun që ishte një i dënuar që kishte shkelur rregullat e brendshme të kampit, i cili në përleshje u largua nga dhoma e izolimit që këta personat e tjerë nuk e dorëzonin. Revolta pra, nga disa kërkesa, doli hapur në një revoltë politike, sigurisht e nxitur nga disa elementë kryesorë që ishin në këtë kamp. Kërkesat pra, në fillim qenë të tilla, pastaj u dual me parrullat nga i dënuari Hajri Pashaj: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Partia”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zëmë vendin tuaj” etj. etj. Revolta zgjati tri ditë, më datë 21, 22, 23 maj 1973. Mbas përpjekjeve u desh të dërgonim forca e u rrethua kampi. Ata, sipas tyre, kishin krijuar një zonë të çliruar, vunë ligjet e tyre. U bë një demonstrim i fortë dhe u desh të hidheshin breshëri armësh dhe në fund iu dha ultimatumi. Nëse nuk do të dorëzoheni, do përdorim armë. Mbas kësaj, nga ata u krijua njëfarë përçarjeje, sigurisht që në gjendjen që u krijua një pjesë e mirë u tronditën nga frika. Pra, në mëngjesin e ditës së fundit, në orën e caktuar, u futën forcat tona dhe filluan të dalin të gjithë me përjashtim të 60 vetave, kështu që u bë një përleshje me ta dhe më në fund u kapën. Nga këta, 12 veta i prunë në Tiranë dhe pas zhvillimit të hetuesisë shpejt e shpejt, në orën 11 të natës u zhvillua gjyqi nga të cilët, katër veta i dënoi me vdekje. Pra, nga 12, katër me vdekje.
HAXHI LLESHI: Po ata atje filluan punë?
ARANIT ÇELA: Sot atyre u është shpallur vendimi i Gjykatës për dënimin me vdekje të këtyre të katërve dhe u është thënë se në rast se shkelin disiplinën dhe rregulloren e brendshme të kampit, në rast se shkelin disiplinën më të vogël, do kenë përgjegjësi, do të kenë konsekuenca. Siç duket, situata u qetësua dhe turni i parë doli në punë. Tani zhvillimi i gjyqit u bë për 12 që janë nga kryesorët, por nuk është çudi të ketë shpëtuar ndonjë tjetër. Përfundimisht u dënuan katër me vdekje, ndërsa të tjerët, d.m.th 8 prej tyre, u dënuan me 25 vjet burg. Ishte shumë e vështirë të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që katër të dënoheshin me vdekje, që janë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj.
HAXHI LLESHI: Tani shpjegimet janë të mjafta, prandaj si mendoni të bëhet me këta të katër, me pushkatim?
ARANIT ÇELA: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve dhe jo para kampit.
HAXHI LLESHI: Për këtë vendosni ju, si t’ju vijë mirë.
RITA MARKO: Dhe unë jam dakord që këta katër të dënohen me vdekje (pushkatim).
Vendoset që Skënder Daja, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Pal Zefi, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Dervish Bejko, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Hajri Pashaj, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.