Mesnatë para pushkatimit/ Sokol Sejko, togës së pushkatimit: Afrohuni dhe shtini!

0
2738
blank

Sot, 45 vjet nga pushkatimi i djaloshit 24 vjeçar Sokol Sejko/ Akti burrëror para togës së pushkatimit. Si ishin çastet e fundit të jetës së djalit të Teme Sejkos, një prej familjeve çame të masakruara nga komunizmi…

Mesnatën e 6 marsit 1974, në një vend sekret që nuk u mësua kurrë, diku në Berat, para një toge puashkatimi, kishin nxjerrë një djalë të ri 24-vjeçar për ta ekzekutuar. E kishin dënuar me vdekje. Të gjithë instancat më të larta, deri tek presidiumi i Kuvendit Popullor, e kishin miratuar dënimin e tij me vdekje. Ishte një prej gjyqeve të montuara të diktaturës. Duket se arsyeja e vërtetë e dënimit të tij me vdekje ishte hakmarrja që vijonte mbi familjen Sejko, që nga pushkatimi i dy vëllezërve çamë Teme dhe Taho Sejko e më tej, një varg tragjedish nuk do të reshtnin.

Por ky dokument i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i siguruar nga familja Sejko, dëshmon se edhe pse në një valë të gjatë e të pambarimtë të masakrave të regjimit mbi këtë familje, Sokol Sejko në çastet e fundit të jetës, dëshmoi se ishte një djalosh trim, krenar e i papërkulur. Ai kishte përjetuar vdekjen e të atit Teme Sejko, pa mundur ta takojë e t'i mësojë as varrin, më tej zhdukjen e xhaxhait Taho Sejko edhe ai pa varr, vdekjen e xhaxhait tjetër Sulo Sejko, po nën presionin e dhunës së diktaturës, apo edhe të gjyshes së tij zemërshkrumbuar me tre djem të sakrifikuar…
Atë mesnatë para pushkatimit, siç e dëshmon edhe ky procesverbal Sokol Sejko, pa iu dridhur qerpiku në fjalët e tij të fundit, do i drejtohej togës së pushkatimit në formë sfiduese: “Afrohuni edhe pak dhe shtini!”

Detajet e këtij procesverbali janë të dhimbshme. I zbardhur i plotë sipas origjinalit, ai publikohet sot nga “Kujto.al”, për të sjellë në vëmendje aktin guximtar të këtij djaloshi që e pa vdekjen në sy e nuk ju tremb regjimit komunist.

Process-Verbal

Mbi ekzekutimin e Sokol Teme Sejko

Në qytetin Berat, sot në orën 24:00 të datës 6 mars 1974, unë Orhan  Frashëri, prokurori i rrethit Berat, në prezencë të zv/kryetarit të Degës P.Brendshme Berat, Refat  Nenaj dhe të mjekut ligjor Andon  Koka komunikova të dënuarit Sokol Teme Sejko se kërkesa e tij për faljen e jetës i është refuzuar dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor të R.P.Sh. me vendim nr.166/1 datë 1 mars 1974 të Gjykatës rrethit Berat që është lënë në fuqi me vendim nr.176 datë 9 shkurt 1974 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për dënim me vdekje (pushkatim). Për këtë ju pyes juve Sokol Teme Sejko se cila është fjala juaj e fundit. I dënuari me vdekje Sokol Teme Sejko tha: “Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ashtu siç nuk më takuat kur unë isha 9 vjeç me babain tim kur u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes time.”

Dhe i dënuari Sokol Teme Sejko duke ju drejtuar skuadrës së ekzekutimit tha: “Afrohuni dhe pak dhe shtini!”........

Më datë 6 mars 1974 në ora 24 në vendin e caktuar u bë ekzekutimi me pushkatim i Sokol Teme Sejkos dhe mjeku anatomo-patholog Andon Koka mbasi ekzaminoi kufomën e Sokol Teme Sejkos vërtetoi vdekjen……………
Zv.Kryetari i Punëve të Brendshme Berat
Refat  Nanaj
Firma

Prokurori i rrethit Berat
Orhan  Frashëri
firma

Mjeku ligjor
Andon  Koka
Firma

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here