Çezar Malile: Në Maliq, të uritur hapnim kanale, zhytur deri në brez në ujë…

0
232
blank

Në Maliq gjëja më e tmerrshme  ishte uria. Shkëmbeheshin 22 paketa cigare për një racion bukë. E haje bukën tani dhe ishe sikur mos të kishe futur gjë në bark. Kaq uri kishte. Hanim edhe kallama…

Çezar Malile, afro të 90-ave, me një të kaluar të dhimbshme, vuajtjesh afro gjysëm shekullore nën regjimin e Enver Hoxhës, ka lënë një varg dëshmish të vyera për jetën e tij dhe të familjes nën persekutimin komunist, që nga viti 1945, kur i nxjerrin përdhunshëm nga vila e tyre në Sarandë, tek arrestimi i të atit në Gjirokastër në vitin 1947 e më tej burgosjen e tij më 1949 dhe endjen  në pothuaj gjthë kampet e punës së detyruar si i burgosur e më vonë në internim. Nga një rrëfim i gjatë i tij botuar në vëllimin III “Zërat e kujtesës” ne kemi shkëputur një fragment ku ai rrëfen kujtime nga përvojat e hidhura në Kënetën e Maliqit.

“Në Maliq, e kishim punën shumë keq. Kur kemi vajtur në fillim, kemi shkelur mbi kallama me këmbë nja pesë a gjashtë kilometra me qëllim që të dystohej vendi, dhe kallami ishte i gjatë sa një bojë njeriu. Bile më kujtohet, që gjatë atyre ditëve të para, u arratis një djalë çam dhe nuk e zunë dot.

U rreshtuam të hapnim kanal, deri në gjoks me ujë. Po si do të hapej kanali ashtu? Na thanë të hapnim “savanela”. Savanela ishte një tip kanal i vogël, që hapej midis dy njerëzve. Hapën këto kanale dhe brenda dy ditëve uji erdhi rrafsh me tokën. Pastaj filluam të hapnim kanalet e mëdhenj, me bazë 25 metra. Toka ishte e gjitha kallam; për të prerë kallamin që ishte një punë shumë e vështirë, na dhanë ca bela shumë të gjatë. Njëri futej në ujë që të priste kallamin dhe të tjerët e tërhiqnin lart megjithë plis, se vetëm plisi, po ta lije, vinte pesë kilogramë ashtu megjithë ujin që kishte përthithur. Plisat pastaj, i vinim në disa dërrasa të gjera, i hipnim në karrocë dhe i çonim për të bërë argjinaturë.

Rruga për në punë ishte 7-8 kilometra. Dhe jo vetëm që duhej ta bëje përditë, por ta bëje me vrap si lopët, tamam si lopët: na vinin përpara dhe turru. Por gjëja më e tmerrshme atje ishte uria. Shkëmbeheshin 22 paketa cigare për një racion bukë. E haje bukën tani dhe ishe sikur mos të kishe futur gjë në bark. Kaq uri kishte. Hanim edhe kallama…

Si i hanit kallamat?

Hanim rrënjën e kallamit. Rrënja ishte e butë. Hanim rrënjën dhe palcën. Po nga uria hanim edhe kockat, hanim edhe lëkurën e bagëtive. Turreshin e hanin lëkurën e lopëve të therura që ishte shtruar përtokë për t’u tharë. Dhe si? Barkas. Kishte nga ata që hanin edhe kockat, edhe brinjët e bagëtive.

Çfarë ishin këto bagëti?

Ishin lopët që i thernin për mish. Se nganjëherë kishte pak mish gjella, që të mbaheshim në këmbë e të punonim se puna qe jashtëzakonisht e rëndë. Nuk qe pa gjë kazani. Por, ishte shumë pak në krahasim me mundin. Dhe atje ka ndodhur, që nga uria, të burgosurit të mblidhnin mbeturinat e ushqimit nëpër lugje. Mbaj mend që djali më i bukur i Tiranës, më eleganti, një farmacist me origjinë nga Shkodra, Alfred Ashiku quhej, arriti të rrëmonte nëpër kazanët e zbrazur për ndonjë kokërr groshë. Merre me mend. Kaq e tmerrshme ishte uria…

Pjesë nga intervista e publikuar në vëllimin III “Zërat e kujtesës” përgatitur nga Luljeta Lleshanaku dhe Miran Butka

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here