Urdhëri i Mehmet Shehut për Presidiumin: Mos u falni jetën 13 deputetëve

0
581
blank

Dokumenti i 9 tetorit 1947/ Si ndikoi në presidium shkresa e Mehmet Shehut për ekzekutimin e deputetëve: Salim Kokalari, Agathokli Xhitoni, Sulo Klosi, Pertef Karagjozi, Enver Sazani, Beqir Cela, Riza Alizoti, Tefik Deliallisi, Shefqet Beja, Salaudin Toto, Irfan Majuni, Sheh Ibrahim Karbunara, Paulo Saggiatti dhe Abdyl Kokoshi.

Lutjet për t'u falur dënimi me vdekje, sidomos në vitet e para të regjimit, bëheshin në çdo rast, me shpresën se pushteti popullor siç ishte vetëquajtur regjimi i Enver Hoxhës, do të tregohej zemërgjerë. Edhe më vonë përgjatë gjithë regjimit, kjo procedurë ligjore njihej si një e drejtë për të gjykuarit.

Por të fitoje falje pas një dënimi me vdekje nga gjykatat, sidomos për proceset politike, ishte pothuajse e pamundur. Kjo pasi proceset politike orkestroheshin nga vetë shefat e regjimit.

Një prej rasteve, ku lutja për falje drejtuar Presidiumit, si insitucioni që nënshkruante aktin e fundit që lejonte ekzekutimin, shoqërohej paralelisht me mendimin për të mos i faluar, pra për të nxitur këtë institucion që të firmoste sa më shpejt ekzekutimin me vdekje.

Bëhet fjalë për procesin e parë të mbajtur ndaj deputetëve. 13 të dënuar me vdekje i kishin drejtuar lutjet e tyre Presidiumit, me shpresën e faljes.

Ata që shpresonin ishin Salim Kokalari, Agathokli Xhitoni, Sulo Klosi, Pertef Karagjozi, Enver Sazani, Beqir Cela, Riza Alizoti, Tefik Deliallisi, Shefqet Beja, Salaudin Toto, Irfan Majuni, Sheh Ibrahim Karbunara, Paulo Saggiatti dhe Abdyl Kokoshi.

Letra shoqëruese e nënshkruar nga Mehmet Shehu, me 13 lutjet e të dënuarve me vdekje, ishte dërguar në Presidium më 9 tetor 1947. Po atë ditë, Presidiumi, duke iu nënshtruar  “mendimit” urdhërues të Mehmet Shehut, kishte nënshkruar refuzimin e faljes së jetës. Të nesërmen më 10 tetor 1947, të 13 deputetët e dënuar më vdekje, ekzekutohen.

Ja shkresa e plotë e Mehmet Shehut:

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare

Sekretariati i Shefit Shtatmadhorisë

Tiranë më 9 tetor 1947

Nr.AI-574/I Prot.Res.

Landa: Dërgim 13 copë lutje të dënuarish

Presidiumit të Kuvendit popullor

Tiranë

Bashkangjitur ju dërgojmë 13 copë lutje për falje të të dënuarve me vdekje Salim Kokalari, Agathokli Xhitoni, Sulo Klosi, Pertef Karagjozi, Enver Sazani, Beqir Çela, Riza Alizoti, Tefik Deliallisi, Shefqet Beja, Salaudin Toto, Irfan Majuni, Sheh Ibrahim Karbunara, Paulo Saggiatti, Abdyl Kokoshi.

Kjo Ministri është e mendimit që të sipërpërmendurvet të mos u akordohet asnji konçesion lehtësor.

Kryetari i Shtatmadhorisë

Gjeneral Major

Mehmet Shehu

blank

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here