45 vjetori i Revoltës së Spaçit, dosja e plotë e ngjarjes, shkaqet, pasojat dhe xhelatët  

0
507
blank

45 vjet nga revolta e Spaçit, një dosje e plotë e një ngjarje që shënon rezistencën më domethënëse gjatë viteve të regjimit komunist. Si nisi revolta e Spaçit, si u shtyp, cilat qene masat e dënimit, të pushkatuarit dhe të ridënuarit për këtë ngjarje…

Komandanti, komisari dhe operativi në revoltën e Spaçit

Në vitin 1968 kampi i punës i njohur me emrin “Reparti i riedukimit nr.303”,  u zhvendos nga Elbasani në Spaç, në një vend të mbyllur mes malesh, tërësisht i izoluar me kufizime të shumta natyrore ku edhe bimësia kishte frikë të dilte, edhe zvarranikët nuk lëviznin e ku zogjtë nuk mund të fluturonin. Regjimi kishte gjetur në vendin ku dikur ngriheshin barakat e gjeologëve vendin ku të shfrytëzohej puna e të burgosurve. Në janar 1968 vendin e pa kryeministri Mehmet Shehu, ndërsa një muaj më pas, edhe Kadri Hazbiu. Të dënuarit erdhën më 28 prill 1968, duke u vendosur në Spaç dhe në Reps (këtu punohej për uzinën e pasurimit të bakrit).

blank

Në-foto-komandanti-Haxhi-Gora-dhe-komisari-Shahin-Skura

Në kohën e zhvendosjes, personeli përbëhej nga komandanti Haxhi Gora, komisari Niko Kolitari (me profesion bujk, me 4 klasë fillore), 80 ushtarë, 12 nënoficerë, etj. Nuk u zhvendos në Spaç një prej operativëve famëkeqe të kampeve e burgjeve, Femi Mullaj.

Në kohën kur nisi revolta e 21 majit 1973, treshja drejtuese e kampit përbëhej nga komandanti Haxhi Gora (nga Delvina me profesioni punëtori ishte me 4 klasë fillo), komisari Shahin    Skura (nga Mati me profesioni minator. Arsimi 4 klasë fillore) dhe operativi i Sigurimit Fejzi Liço.

Si nisi revolta e Spaçit

Infermieri 31 vjeçar Pal Gjergj Zefi, kishte më pak se dy vjet që vuante dënimin në kampin e Spaçit. Me vendimin nr.133, datë 28.10.1971, Gjykata e Rrethit Durrës e kishte deklaruar fajtor për agjitacion e propagandë duke e dënuar me 10 vjet heqje lirie së bashku me një shtetas tjetër. Nga zhvillimi i gjyqit dilte se kishte thënë se partia më tepër kujdesej për stallat e lopëve sesa për njerëzit. Kundër të pandehurve ishin vënë 32 fletërrufe para se të dënoheshin.

Pal Zefi ishte dënuar nga komanda e kampit të Spaçit me një muaj izolim biruce. Kjo masë jepej nga komanda në raste e shkeljeve disiplinore. Kushtet në birucë ishin shumë të këqija sepse zgjidheshin vendet më të këqija të kampeve apo burgjeve. Të izoluarve u jepej natën vetëm një batanije, e cila iu hiqej në mëngjes. Pikërisht në orën 5.00, në kohën kur nënoficeri do t’i hiqte batanijen, Pal Zefi mundi t’i ikë nga duart e të bashkohet me të dënuarit e tjerë, të cilët nuk i lejuan rojet ta marrin atë. Pikërisht kështu nisi revolta e Spaçit.

Parullat e revoltës së Spaçit

Pas fillimit të revoltës, komisari kampit Shahin  Skura dhe kryetari i Degës së Zbatim Vendimeve Penale Sulejman  Manoku (i cili ndodhej çuditërisht atje), i bënë thirrje të dënuarve të dorëzoheshin. Në orën 15.30 të datës 21 maj 1973 mbërriti grupi operativ i DPB Mirditë i kryesuar nga prokurori i rrethit Zef Deda, shefi policisë së rrethit oficer Rexhep  Karaj, shefi seksionit të sigurimit oficer Gjergj  Zefi dhe hetuesi Shaban  Dani. Gjatë këtij veprimi punonjësit tonë që kryen arrestimin u shoqëruan nga një turme të dënuarish dhe ndërmjet tyre Dervish Bejko, thirri: “Mos e arrestoni more të poshtër”, duke u bërë zhurmë edhe nga të tjerët.

Të dënuarit filluan të hedhin parulla si: "Ja vdekje ja liri", “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ne nuk punojmë as sot as mot”, “Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”,"Ushtria është me ne” , “Populli është me ne dhe kundër jush”, "Shokë ushtarë dorëzoni armët”, “Ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi”, “Do t'ju djegim si Stalini", “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “Poshtë komunistët”, “Rroftë Europa e lirë”, etj.

Disa nga të dënuarit si Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fiku, filluan të mbajnë fjalime e recitojnë poezi me përmbajtje kundër regjimit, thirrje për kryengritje, etj.

Rreth orës 3.00 të datës 22 maj 1973 ne vendin e ngjarjes mbërriti grupi operativ i MP Brendshme, i drejtuar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme Feçor Shehu, drejtori i Policisë Kasem Kaçi, etj. Në mëngjes u konstatua se në godinë qëndronte flamuri kombëtar pa yllin komunist. Feçor Shehu në emër të ministrit kërkoi të dorëzoheshin. Revolta u shtyp me ndërhyrjen e forcave të regjimit në mëngjesin 3 datës 23 maj, pasi të dënuarit ishin lënë pa ujë e pa ushqim. Dashnor Kazazi, Skënder Daja, Jorgji Papa e Dervish Bejko “e ndonjë tjetër” me hekura e me dërrasa në duar hipën mbi tarracë duke bërtitur kundër forcave të regjimit. Nga përplasja u plagosen 5 të dënuar dhe 2 policë.

Ministria e Punëve të Brendshme, nxirrte si arsye të revoltës tre shkaqe kryesore:

1-Ngjarja që ndodhi është një revoltë e plotë kundër partisë e pushtetit.

2-Doli qartë ashpërsia klasore e armiqve, urrejtja e tyre deri në brutalitet gjakatar kundër rendit socialist, kundër udhëheqjes së partisë në tërësi dhe të organeve të punëve të brendshme në veçanti.

3-Elementi që përbën këtë kamp në tërësi është armik klase, bile nga me gjakatarët, të dënuar për tradhti ndaj atdheut, prejardhja e tyre në shumicën është nga të deklasuarit, të cilët që gjatë LANÇ-it e deri sot janë në përpjekje të vazhdueshme me rendin tonë shoqëror.

 Në foto dera e birucës së kampit të Spaçit. Foto e ditëve të revoltës

Fjetina e të burgosurve, një ditë pas revoltës në kamp

 Katër të ekzekutuarit e revoltës së Spaçit

Pas shtypjes së revoltës, regjimi kishte nevojë të jepte një shembull ndëshkimi të menjëhershëm kundër të dënuarve. Hetimet për grupin e parë u bënë në Spaç dhe në Rrëshen. Në përfundim të hetimeve, hetuesi Shaban Dani me miratimin e prokurorit Sotir Vaso hartoi aktakuzën kundrejt grupit të 12 të pandehurve. Gjykata e Lartë e drejtuar nga Hilmi Telegrafi me ndihmësanëtarë Mit’hat Goskova e Ymer Aliko, duke pasur prokuror Zaim Myftarin u zhvendos në Spaç. Për herë të parë Spaçi po shërbente edhe si seli e Gjykatës së Lartë. Me vendimin nr.1, datë 24.5.1973, pra një ditë pas shtypjes së revoltës, gjykata deklaroi fajtorë Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashajn dhe Pal Zefin, duke i dënuar me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë së pjesës së tij dhe me humbjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. Dashnor Kazazi, Luan Burimi, Syrja Lame, Sami Dangëllia, Lush (Paulin) Vata, Jorgo Papa, Hodo Sokoli dhe Luan Koka u dënuan me nga 25 vjet burgim dhe konfiskim të pasurisë dhe me humbjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet kohë.

Për t’u shënuar te ky proces është fakti se Pal Zefi në hetuesi thotë se ushqimi në burg u jepej i helmuar për t’i çuar në vdekje të ngadaltë. Zefi deklaroi se nuk e donte këtë pushtet se e kishte dënuar me pa të drejtë dhe e mbante në burg.

Hetuesit e procesit të pare ishin: Shaban  Dani, Fejzo  Aloçi, Pelivan  Luçi, Misto  Shunda, Rustem  Çipi, Vasil  Milo, Irfan  Shaqiri, Dhimo  Sinani, Hamdi  Meta, Sali  Budo.

blank

Pjesë nga dispozitivi i vendimit të Gjykatës së Lartë në Spaç

 

 Dënimi i grupit të flamurit

Pas dënimit të grupit të grupit të parë të revoltës së Spaçit, në Tiranë u zhvilluan hetimet për grupin e dytë, që quhet “grupi i flamurit”. Të dënuarit brenda kampit të Spaçit guxuan dhe hoqën qelbin komunist, yllin e kuq nga flamuri, atë simbol të urryer që e nxjerrin sot në lloj-lloj aktivitetesh vijuesit e veprës së persekutorëve.

Hetues të këtij grupi ishin: Vangjel  Kote, KoçoJosifi, Irakli  Kocani, Skënder  Sadikaj, Skënder  Myftatari, Isa  Halilaj, Dhimitraq  Shkodrani, Seit  Sulaj, Llambi  Gegeni, Fejzo  Aloçi, Florian  Kolaneci, Dhimo  Sinani, Izet  Hasani, Rustem  Çipi, Ali  Xhunga. Shihen të pranishëm edhe: Andon  Butka, Llambi  Bako, Idriz  Seiti, Xhevdet  Miloti, Lilo  Rrapo.

Në aktakuzën kundër këtij grupi, ndër të tjera thuhej:

“Të pandehurit e mësipërm, si elemente kryesore në këtë revoltë kundërrevolucionare dhe me qëllim për t’i dhënë hov dhe ngritje më të lartë revoltës, më datën 22 maj 1973 ngritën një flamur duke vendosur një beze të kuqe dhe pikturuar në të shkabën. Pas kësaj të pandehurit shkojnë nëpër kapanone dhe njoftojnë të dënuarit e tjerë duke u bërë thirrje këtyre që të dalin përjashta mbasi do të këndohej himni i flamurit. Të pandehurit në vazhdim të veprimtarisë së tyre armiqësore shkatërrojnë stendat e emulacionit socialist dhe me to ndezin zjarr në oborrin e kampit. Në kohën që kryhen veprimet e mësipërme të pandehurit duke nxitur edhe të dënuarit e tjerë në kamp, vazhduan thirrjet, brohoritjet dhe shprehje armiqësore: “Ja vdekje ja liri”, “Poshtë komunizmi”, “Poshtë qeveria e Tiranës”, “Keni 30 vjet që po na robëroni”, etj. Të pandehurit përveç veprimeve të mësipërme, kanë shkruar parulla armiqësore të cilat i kanë varur nëpër muret e ndërtesave të kampit. Në këto parulla ju bëhej thirrje të dënuarve për të qëndruar të bashkuar, për të vazhduar revoltën, për të mos dalë në punë dhe për të vazhduar kërkesat e tyre. Kjo veprimtari me rrezikshmëri të theksuar armiqësore dhe me pasoja veçanërisht të rënda, formon krimin e parashikuar nga neni 73/II të i Kodit Penal”.

Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e përbërë nga Filip Lako kryetar dhe Gjin Pali e Pjetër Nikolli ndihmësgjyqtarë, me pjesëmarrjen e prokurorit Zef Deda me vendimin nr.29, datë 30.6.1973, i deklaroi fajtorë të pandehurit dhe përveç konfiskimit të pasurisë dhe humbjen e të drejtës zgjedhore i dënoi si vijon:

-Me 25 vjet: Fehti Kumanaku, Pal Marku

-Me 23 vjet: Bedri Çoku, Murat Marta

-Me 22 vjet: Jonuz Norja

-Me 20 vjet: Ndroc Coku, Hasan Hibo

-Me 17 vjet: Shuaip Ibrahimi

-Me 16 vjet: Dervish Sulo, Mersin Vlashi, Haxhi Bena, Elez Hoxha, Neim Pashaj, Naim Uka

-Me 15 vjet: Qemal Demiraj, Tomor Allabeu

Katër të pandehur dolën të pafajshëm. U la në fuqi me vendimin nr.1158, datë 15.8.1973

 

Dënimi i grupit të tretë të revoltës dhe historia e të dënuarit që u vra në Spaç

Pasi hetimet për grupin e tretë u zhvilluan në Tiranë, gjykimi u bë në Rrëshen. Me vendimin nr.34, datë 13.7.1973 Gjykata Popullore e Rrethit të Mirditës, e përbërë nga Filip Lako dhe ndihmësgjyqtarët Pjetër Nikolli e Gjin Pali, duke pasur pranë prokurorin Zef Deda dha vendimin për grupin e tretë, natyrisht shoqëruar me konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore. Vendimi:

Me 25 vjet: Kostandin Papaj

Me 20 vjet: Rexhep Lazri, Sali Çuni

Me 18 vjet: Sherif Allamani

Me 16 vjet: Hulusi Pashollari, Fatmir Llagami, Bashkim Fishta

Me 15 vjet: Bebi Konomi, Njazi Bylykbashi

Me 14 vjet: Agron Xhelili

Me 13 vjet: Mirash Gjoka, Refik Beqo, Nuri Stepa

Me 12 vjet: Gëzim Çela

Një i pandehur u deklarua i pafajshëm.

U la në fuqi me vendimin nr.1301, datë 8.9.1973 të Gjykatës së Lartë.

Historia e Refik Zenel Beqos (1940-1979), nga Parisi në Spaç

Me këtë grup është ridënuar edhe Refik Beqo nga Sutaj i Librazhdit, jeta e të cilit përfundoi në Spaç. Jetonte në Paris si i arratisur, por në vitin 1957 nga amnistia e shpallur së kthehet në Shqipëri. I zhgënjyer nga jeta e keqe, puna në kooperativë, etj, tenton të arratiset në 10.10.1960, por arrestohet. Për këto arsye, Gjykata Ushtarake e Tiranës, me funksione në Librazhd, e dënon me 20 vjet burg. Në revoltën e Spaçit, ridënohet me 13 vjet të tjera burgim. Lirohet nga burgu më 21.1.1977, por internohet menjëherë. Orvatet sërish për arratisje pasi largohet nga vendi i internimit (njëra akuzë), por më 20.7.1977 arrestohet prapë dhe dënohet me 12 vjet heqje të lirisë, i akuzuar edhe për agjitacion e propagandë. Arratisja e fundit ishte brenda kampit të Spaçit më 12.6.1979, por u vra nga rojet dhe u varros atje ku kaloi vitet më të zeza të jetës së tij. Vuajti 19 vjet burgim të cilat i përfundoi me humbjen e jetës.

  Faksimile e aktakuzës

Dënimi i grupit të katërt

Pas hetimeve të zhvilluara në Tiranë, në Rrëshen u dënua grupi i katërt i revoltës. Midis të tjerash në aktakuzë thuhet:

“Veprimet e hapëta armiqësore të të gjithë të pandehurve, bënë të mundur që të ngrenë në revoltë një pjesë të madhe të të dënuarve në revoltë, të cilët u bashkuan me ta dhe në të njëjtën kohë, si rezultat i organizimit të mëparshëm të kësaj veprimtarie, hedhja e parullave armiqësore u zgjerua më tej, kaloi edhe në thirrje të tjera armiqësore”.

Me vendimin nr.38, datë 21.7.1973 Gjykata Popullore e Rrethit të Mirditës nën drejtimin e Filip Lakos me ndihmësgjyqtarë Pjetër Nikollin dhe Nikoll Gjonin me praninë e prokurorit Zef Deda dha vendimin e saj, të shoqëruar me konfiskime pasurie e heqje të së drejtës. Dënimet ishin:

Me 25 vjet: Fadil Dushku, Demir Pojani, Gëzim Medolli

Me 20 vjet: Çaush Çoku

Me 21 vjet: Spiro Nasho

Me 16 vjet: Sulo Veshi

Me 15 vjet: Petro Popaj

Me 14 vjet: Muharrem Dyli, Muharrem Isufi, Stefan Kola

Me 12 vjet: Vladimir Prifti

Një i pandehur u deklarua i pafajshëm

U la në fuqi me vendimin nr.1473, datë 11.10.1973 të Këshilli Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

I burgosuri Ferit Abullari. Foto e kohës së burgimit

Dënimi i grupit të fundit

Në fund të korrikut 1973 u dha dënimi për grupin e fundit të protagonistëve të revoltës së Spaçit.

Gjykata Popullore e Rrethit të Mirditës e përbërë nga Filip Lako, me ndihmësgjyqtarë Pjetër Nikolli dhe Nikoll Gjoni, në praninë e prokurorit Zef Deda vendimin nr.39, datë 25.7.1973, gjykata dha këto dënime me burgim, konfiskim pasurie e heqje të së drejtës zgjedhore:

Me 16 vjet:  Xhemal Bali

Me 15 vjet:  Gjeto Kadeli, Sotiraq Simaku

Me 13 vjet:  Bardhyl Fejzullari

Me 12 vjet:  Ferit Avdullari, Hysen Xhani

Me 15 vjet:  Napolon Koleci

Në këtë grup është edhe Ferit Abdullari nga Lini i Pogradecit. I dënuar disa herë nga regjimi komunist, ai doli nga burgu më 1.9.1988 dhe përfundoi në azilin e plqeve në Kavajë.

Materialet janë mbledhur nga publikimet e studiuesit Kastriot Dervishi

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here