Grupi i “sabotatorëve të kënetës së Maliqit”, dëshmia e gazetares Zyraka Mano, që ishte gruaja e inxhinierit

0
513
blank

Në nëntorin e 1946, lajmi më i madh në Tiranë ishte gjyqi ndaj atij që u quajt me bujë, “grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Qëllimi i këtij gjyqi ishte, në radhë të parë, vijimi i politikës së asgjësimit të intelektualëve të edukuar në shkolla perëndimore, për shkak të kundërshtive që kishin këta të fundit ndaj regjimit të asaj kohe.

Qeveria e Tiranës donte t’i shkëpuste e t’i prishte përfundimisht marrëdhëniet me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, për t’u kyçur përfundimisht në perandorinë e kuqe komuniste, si një vend satelit i BS dhe si një shtojcë e Jugosllavisë, për të justifikuar mostharjen e kënetës në afatin e caktuar (1 tetor 1946), realizuar me punën e të burgosurve politikë, si edhe me mjete primitive të punës dhe për të ushtruar e përhapur terror e frikë në popull, në mënyrë të veçantë te klasat e përmbysura borgjeze e demokrate.

Grupi i Kënetës së Maliqit përbëhej nga disa emra. Abdyl Sharra, një 35-vjeçar nga Vlora, është më i përmenduri ndër ta. Kishte kryer shkollën teknike në Stamboll dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Romë. U emërua kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit dhe pas tre muajsh arrestohet si “armik i popullit, si iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”. Kujtim Beqiri, 30 vjeç nga Velça e Vlorës, bir i një familjeje patriotike (i ati, pjesëmarrës aktiv në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920). Në vitin 1932 kryen Shkollën Teknike (dega Elektrike).

Në vitin 1940 përfundon me medalje të artë inxhinierinë civile, rruga-ura në Universitetin e Vjenës. Në korrik 1946 dërgohet si drejtor në punimet e Maliqit. Vasil Mano, inxhinier në Kënetë, u akuzua bashkë me të shoqen, Zyrakën (me kombësi jugosllave), për lidhje dhe kontakte të herëpashershme me agjentët e UNRRA-s. Zyraka, sipas dokumenteve, ishte e martuar 2 herë, me burrin e parë, priftin Pandi Popoviç, ka 2 fëmijë. Pandeli Zografi dhe Mario Guernieri, të cilët ishin gjeometër në kënetën e Maliqit. Eugjenio Skaturio, i cili kishte detyrën e llogaritarit në Maliq, si edhe Mihal Stratobërdha, Hans Vala, Mirush Përmeti dhe Jani Vasili. Përveç këtij grupi, emrat e të cilëve përmenden vazhdimisht në deklaratën e mëposhtme të Zyraka Manos, një tjetër emër po aq i dëgjuar i kohës është edhe Bianka Balliçi, gazetarja investigative që kishte ardhur nga Austria, e martuar me një shqiptar, e që akuzohej gjithashtu për bashkëpunime kundër sistemit. Pavarësisht se Bianka përmendet më shumë se një herë nga Zyraka, duket qartë qëndrimi i saj i largët nga “ato çështje”.

Zyraka Mano në plazh

Zyraka Mano në plazh

DEKLARATA E ZYRAKA MANOS (marrë nga dosja e ish-Sigurimit të Shtetit për Çështjen e Kënetës së Maliqit, e cila pak ditë më parë iu dorëzua të afërmve të viktimave nga autoriteti për informimin, për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit):

Raportet kurdoherë flisnin mbi sabotimet e Maliqit, hollësirat e këtyre raporteve unë nuk i kam parë. Gjithnjë, unë këto raporte i kam shpurë te Fulsi me anën e Bjanka Baliçit, e cila mbasi i shpinte, merrte edhe përgjigjet e këtyre raporteve, të cilat m’i dorëzonte mua. Përgjigjet e këtyre raporteve unë ia dorëzoja Beqir Kujtimit në Maliq. Beqiri, mbasi i këndonte, provokonte mbledhje me qëllim që të njoftonte shokët e tij çka përmbajnin letrat që Fulsi ia dërgonte në lidhje me sabotimet.

Dijeni për këto raporte dhe për përgjigjet e këtyre raporteve kishin Hans Vale, Pandeli Zografi, dr. Gofredo Bizzua, burri im Vasili, Aleks Vasili dhe Ing Adami. Për çdo raport që i dërgohej Fulsit, para se t’i dërgohesh me parë, bëhej mbledhja nga të gjithë të përmendurit dhe mbasi këta raportonin sabotimet që kishin bërë në çdo sektor, atëherë Beqir Kujtimi përpilonte raportin përmbledhës për t’ia dërguar Fulsit.

Ing. Beqiri, si për raportet që i dërgonte Fulsit, ashtu edhe për përgjigjet që dërgonte Fulsi, provokonte mbledhje me qëllim që, para se të bëhej raporti për Fulsin, të diskutonin gjithashtu dhe përgjigjen që dërgonte Fulsi, nga të gjithë elementët e sipërshënuar. Ing. Kujtim Beqiri, sa herë që merrte udhëzime nga Fulsi për sabotim, këto na i komunikonte hollësisht nëpër mbledhjet që provokoheshin nga aty.

Për çka Fulsi raportonte në lidhje me udhëzimet, unë nuk di me hollësira, për arsye se Kujtim Beqiri fliste në gjuhën shqipe dhe gjermanishte, por unë di nga burri im se gjithë udhëzimet që dërgonte Fulsi, le të pyetet Pandeli Zografi, Scaturo, burri tim Vasili, Kujtim Beqiri, o gjithë ata që kanë qenë në dijeni për këtë çështje. Porsa fola më sipër, mbasi m’u kënduan dhe m’u shpjeguan mirë, i nënshkruaj me firmën time.

sabotimi keneta

Zyrika Mano

Shtojcë Procesverbali

Kujtim Beqiri shpeshherë na ka folur mbi situatën duke na thënë për së shpejti do të ndryshojë meqë Englezët nuk do të lejojnë qeverira të tilla, e meqë më vonë kërcënojnë qenien e tyre. Mbledhje me karakter të organizuar me Sharrën kemi bërë katër herë; një në 15 qershor, të dytën rreth datës 20-25 dhe të tretën nga fillimi i muajit korrik dhe të katërtën me rastin e largimit të Sharrës, i cili na prezantoi Kujtim Beqirin.

Në këto mbledhje bënim pjesë: unë, Hane Vales, burrit im Vasos, Pandeli Zografit, Mirush Përmetit, Scaturos, Dr. Rizzo. Për deri sa kam qenë unë në Maliq, di se misionarët e Unrres kanë ardhur dy herë; një herë më 13 qershor dhe një herë në fillim të muajit korrik. Letrat që merrte Sharra nga Fullci nuk na i kishte treguar përmbajtjet e tyre, i kishte shënuar në bllok, i cili na i komunikonte. Me Kujtim Beqirin kemi bërë katër herë mbledhje, tre herë në shtëpinë time dhe një herë në dhomën e tij, në këto mbledhje kemi bërë pjesë të gjithë të përmendurit në këtë shtojcë procesverbal.

Shtojcë Procesverbal

Sot, më 24 tetor 1946, në Zyrat e Seksionit të sig.

Shtetit në Tiranë, u rimuar në pyetje e burgosura Zyrika Mano dhe mbasi u pyet, deklaroi si më poshtë: “Para 6-7 ditëve se të nisesh nga Sharra për Berat, në Maliq kishte ardhur Kujtim Beqiri për ta zëvendësuar. Gjatë këtyre ditëve, Sharra provokoi një mbledhje me qëllim që të prezantonte bashkëpunëtorët e tij Kujtim Beqirit. Mbledhja u bë 2-3 ditë para se të largohesh nga Sharra, në zyrën e tij. Në këtë mbledhje bënin pjesë: Ing Sharra, Ing Kujtimi, Hans Vala, Pandeli Zografua, Scaturua, burri tim dhe Aleks vasali.

Unë, në këtë mbledhje, skam bërë pjesë pse qëllimin e mbledhjes dhe çka u bisedua atje ma vunë në dijeni burri tim Vasua dhe ing. Kujtim Beqiri. Në këtë mbledhje, të përmendurit kishin biseduar si më poshtë: Sharra kishte bërë prezantimin e gjithë bashkëpunëtorëve të tij, Ing. Kujtim Beqirit dhe njëkohësisht kishin shtruar problemin e sabotimit çka ishte bërë deri atë ditë dhe ç’do të bëhesh. Ishte vendosur që puna e sabotimit të vrazhdohesh si më parë, mbështetur në programin që Sharra kishte shtruar në mbledhjen e 15 qershorit dhe se lidhjet me Kujtimin duhesh t’ishin më të shpeshta. për arsye se Kujtimi ishte i ri në punë dhe për t’u orientuar.

Këto lidhje që këta kanë pasur me sharrën t’ia njoftofshin Kujtimit më shpesh. Sharra kishte thënë: “Për lidhjetqë kemi në Tiranë me Fulsin, do të shkonte vetë të raportonte punën se si ai kishte lënë zëvendës Kujtim Beqirin dhe se Fulsi, për punërat e Maliqit, t’i mbante lidhjet me Kujtimin. Mbas dy ditë të kësaj mbledhjeje, Sharra u nis për Tiranë dhe nga Tirana i kishte dërguar një letër Kujtim Beqirit në mënyrë indirekte, në të cilën shkruante se punët me Fulsin i kishte rregulluar dhe se së shpejti Kujtim Beqiri do t’i vinte lidhja. Me sa mbaj mend unë, letra e Sharrës fliste kështu: U takova në Tiranë me vëllanë tënd, me të cilin kam biseduar gjatë, prandaj ti mos u preokupo se çështja është rregulluar”. Fjala vëlla ishte Fulloi.

Kur ka ardhur kjo letër nga Sharra Kujtimit, ai më ka thënë vetë se kishte marrë letër, dhe veç kësaj ai më tha se Sharra është njeri shumë i zgjuar dhe punon me sistem dhe është një element shumë i vlefshëm për ne. Kjo kuptohet haptazi nga letra që më kishte dërguar, e cila fliste për vëllanë, me qëllim që në rast se kjo letër do të kontrollohesh ose do të binte në duart e Sigurimit, të mos kuptohesh përmbajtja. Për të tillë elementë si Sharra, kemi shumë nevojë.

Gjithë këto bisedime ai mi ka thënë verbalisht, duke qenë vetëm ne të dy. Mbas ikjes së Sharrës, Kujtim Beqiri Ia filloi punës së tij së bashku me shokët, si më parë për sabotimin në Maliq. Mbas pak ditësh të largimit të ing. Sharrës, Kujtim Beqiri përpiloi një raport të punës për Fulsin, të cilin ma dha mua për t’ia çuar Fulsit në Tiranë. Kur unë mora raportin nga Kujtimi për te Fulsi, ka qenë prezent dhe burri im, Vasua. Kujtim Beqiri më tha se kishte përgatitur një raport dhe se ishte e nevojshme t’i shkonte Fulsit sa më parë. Unë këtë nuk e desha, por burri im tha se kjo duhet të vente patjetër dhe unë shumë lehtë mund ta çoja te Fulci me anë të Bianka Baliçit.

Kështu më tha Vasua, që të mos kisha as më të voglën frikë. Unë raportin nuk e këndova, por e dija me siguri se qe përpiluar në lidhje me sabotimet e punimeve në Maliq dhe se ishte vazhdimi i raportit të Sharrës. Ky raport nga Kujtim Beqiri, nuk e mbaj mend mirë, por ishte përpiluar nga fillimi i muajit gusht. Kur Kujtim Beqiri më dha këtë raport, ky ishte mbyllur me një zarf të bardhë dhe ishte shkruar kështu: Kuflsit në Misionin amerikan në Tiranë. Mbasi mora raportin, u nisa me një makinë të Kantierit për Tiranë.

Në Tiranë shkova drejt e në shtëpi të Bianka Baliçit, së cilës i thashë për t’i çuar raportin Fulsit duke i thënë se ky raport është një raport i mirë nga një inxhinier, që kishte zëvendësuar inxhinierin e parë, që unë i kisha thënë për Drejtorin e Kantierit. Veç kësaj, unë i thashë që raportin ta çosh vetëm ti, për arsye se unë kam frikë të vete vetë te Fulsi; njëkohësisht e porosita që të merrte edhe përgjigjen e raportit.

Banka Baliçi më tha se ti nuk duhet të përzihesh shumë me këto punëra, meqë janë veprime të rrezikshme, dhe unë që shkoj atje, druhem shumë, sado që vete me pretekstin e qirasë së shtëpisë dhe të porosis që, tjetër herë të mos biesh më të tilla raporte se nuk i çoj. Këtë po e çoj. Kështu që e mori raportin dhe ia çoi Fulsit.

Unë për të marrë përgjigjen, do të shkoja në mbrëmje në shtëpinë e Biankës. Në mbrëmje të kësaj ditë, kam shkuar për të marrë përgjigjen, të cilën e gjeta gati në një zarf të mbyllur, pa drejtim e veç kësaj, më tha Bianka: Fulsi i kishte thënë t’i thoja inxhinierit të vinte në Tiranë, për t’u takuar verbalisht me Fulsin. Atë natë kam ndenjur për darkë aty, të nesërmen u nisa për në Maliq me makinat e kantierit. Në darkë nuk ka qenë tjetër njeri te Bianka, veç se burri i saj, Ademi.

Ademi për raportin që i kemi dërguar Fulsit me Biankën nuk dinte gjë. Bianka, përmbajtjen e raportit, e dinte për arsye se ia kisha thënë unë, se përmbanin brenda sabotimet që zhvilloheshin në punimet e Maliqit. Me mbërritjen time në Maliq, Kujtim Beqiri ardhi në shtëpinë time për të më pyetur si kishte shkuar. Në atë kohë i dhashë letrën dhe njëkohësisht i thashë se Fulsi kishte porositur që ti të shkosh në Tiranë për të biseduar gojarisht me të.

Kujtimi, mbasi mori letrën, të nesërmen, thirri shokët dhe u mblodhën në shtëpinë time. Në këtë mbledhje ishin, Kujtimi, Pandeli, Hanzi, burri im, Aleks Vasili dhe unë. Kujtimi, në këtë mbledhje, tha: “Zyraka pruri përgjigjen nga Fulsi dhe se Fulsi na shkruan këto pika: në këtë kohë, ai nxori letrën nga xhepi duke mbajtur përpara dhe duke shpjeguar pikat që përmbante letra.

Mua me hollësi këto nuk më kujtohen të tëra, e dyta ishte se këta bisedonin në shqip dhe shumë prej fjalëve më shkisnin pse nuk i kuptoja, por që mbaj mend mirë janë këto: “Fulsi në letër përshkruante se me Sharrën kishte biseduar shumë gjatë dhe se Sharra i kishte folur shumë mirë për Ing. Kujtimin dhe shprehte gëzimin dhe uronte që Kujtimi të vazhdonte punën me vrull, si zëvendësi i Sharrës. Fulsi thoshte: Në lidhje me sabotimet nuk është nevoja t’ju shkruaj unë, meqë veprohet sipas programit të Sharrës. Aty shkruante nevojë e domosdoshme, dhe që ka rëndësi të madhe, duhesh që punën ta sabotonin jo vetëm nga ana teknike, por edhe nga ana politike dhe të bëhej çmos në këtë drejtim për të përgatitur punëtorë, që sa më shumë provokonin greva dhe nga ana tjetër të bëhej çmos për dezertimin e tyre.

Ai shkruante për të sqaruar më mirë, në lidhje me këto porositë e ing. Kujtimit që të vinte në Tiranë të takohej me Fulsin verbalist dhe të tjera, që unë si mbaj mend. Ing. Kujtim Beqiri ishte shumë i kënaqur që Fulsi kishte një opinion të mirë për të. Mbasi vuri në dukje këto pika, udhëzimet e Fulcit u diktuan nga të tërë dhe u vendos të punohej sa më shumë që të bëheshin sa më shumë greva dhe të dezertonin. Veç kësaj u vendos që të gjithë bashkëpunëtorët të bënin një raport rreth aktivitetit të tyre dhe punës që ishte sabotuar, me qëllim që Kujtimi, kur të nisej për Tiranë, t’i raportonte Fulsit me hollësi krejt veprimtarinë e shokëve.

Kush ishte Bianka de Korvin (Balliçi)
E bija e konsullit austriak në Stamboll, Bianka de Korvin, u martua me një shqiptar, Adem Balliçin, prej të cilit mori më vonë edhe mbiemrin. Në Austri pati qenë e martuar me një kont, pas vdekjes së të cilit ajo u martua me Balliçin. Edhe pse ajo nuk punoi në Shqipëri, profesioni i saj ishte gazetare investigative. E akuzuar si ndërlidhëse e amerikanëve me Shqipërinë, Bianka u burgos dhe u torturua në mënyrë të tmerrshme nga sistemi. E akuzuar si e implikuar në çështjen e Kënetës së Maliqit, Balliçi u dënua me burg. Doli nga qelia pas 11 vjetësh dhe siç tregojnë të afërmit, prej torturave, jo vetëm kishte shenja ngado nëpër trup, por edhe kishte pësuar shok psikologjik.

Pas burgimit vijuan vitet e Psikiatrisë, ku gjithashtu iu nënshtrua të tjera torturave. Pas largimit nga Shqipëria, vijoi të mbante korrespondencë me njerëzit e të shoqit, të cilëve u dhuroi vilën që kishin ndërtuar në Rrugën e Elbasanit, pranë Ambasadës Amerikane. Vdiq në Zagreb. Thuhet nga një aksident automobilistik. Edhe pse vazhdojnë të jenë gjallë njerëz që e kanë njohur Bianka Balliçin, historia e saj mbetet ende e pazbardhur. Burimi: Panorama –

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here